Tri mbrëmje gala të mbushura me emocione dhe art u zhvilluan në El Salvador, ku Baleti Kombëtar i Kosovës dhe Baleti Kombëtar i El Salvadorit sollën një bashkëpunim të veçantë artistik në skenën e Teatrit Kombëtar të El Salvadorit.
Në këtë ngjarje kulturore, Baleti Kombëtar i El Salvadorit u prezantua me veprën “El Rastro Invisible”, ndërsa Baleti Kombëtar i Kosovës interpretoi veprën e njohur “Carmina Burana”, duke sjellë një përvojë të fuqishme artistike për publikun vendas.
Shfaqjet u pritën me interes të madh nga publiku salvadorian, duke u konsideruar si një ndër ngjarjet më të rëndësishme të bashkëpunimit kulturor ndërmjet dy vendeve.
Organizatorët vlerësuan se këto tri netë shërbyen si një urë lidhëse mes dy kulturave, duke treguar fuqinë e artit për të afruar popujt dhe për të forcuar marrëdhëniet kulturore ndërkombëtare.
Po ashtu, u shpreh mirënjohje për institucionet dhe artistët që kontribuuan në realizimin e këtij bashkëpunimi, si dhe për mikpritjen e publikut të El Salvadorit gjatë gjithë ngjarjes.



