Familjarë e miq të shumtë përkujtuan sot një nga figurat më të njohura të jetës publike shqiptare, Artan Lamen, në një ceremoni përkujtimore ku u prezantua edhe libri i tij “Shqipni e harrume”, një vepër që përmbledh pasionin e tij të pandalshëm për historinë dhe kujtesën shqiptare.
Aktiviteti u zhvillua në përvjetorin e parë të ndarjes së tij nga jeta, ku miqtë dhe të njohurit theksuan boshllëkun e madh që ai la te të gjithë ata që patën fatin ta njihnin, por edhe në jetën publike të vendit.
Në këtë ceremoni përkujtimore, foli edhe vajza e tij, Lisia, e cila është kthyer në Shqipëri për të vendosur në vend “gurët” që nisi të lëvizte i ati.
Ajo kërkoi që Artan Lame të kujtohet për atë që ishte, një njeri që jetonte gjithmonë me ide, projekte dhe një pasion të rrallë për historinë.
“Dua që ta kujtoni Tanin për atë që ishte, jo me keqardhje”, u shpreh ajo, duke sjellë edhe copëza nga jeta e tyre, shtëpinë si një hapësirë muzeale ku çdo objekt kishte një histori më vete, si pjesë e një bote që ai e kishte ndërtuar me kujdes dhe dashuri.
Ajo u ndal po ashtu edhe te projekti “Muzeu i Gardës”, i cili fatkeqësisht nuk arriti të përfundonte në kohë, pavarësisht ndihmës së madhe të miqve dhe shokëve të Tanit, të cilët i kishte të shumtë. Por, ashtu sikurse ai ishte një njeri “plot ngjyra”, nuk e patën të vështirë për të përmbushur një tjetër amanet të tijin, pikërisht librin “Shqipni e harrume”.
“Ndjej që edhe pse isha unë iniciatorja e përfundimit të muzeut ishte Tani nëpërmjet meje, i cili i thërriti të gjithë ata që kontribuuan. Por njëvjetori nuk mund të qëndronte vetëm me një projekt të ndërprerë në finishin e vet, ka shumë për të thënë, ndaj ne pamë armën tjetër të tij të fortë publicistikën e cila në një temë me muzeun sërish thërret te historia shqiptare”, tha Lisia ndër të tjera.
“Është një nder dhe mallkim që të kesh një standard kaq të lartë për të arritur”, e përmbylli ajo fjalën e saj, duke e thënë qartë se i ati mbetet shembulli i një njeriu të rrallë, i plotësuar në dije, pasion dhe mënyrën si e jetoi jetën.
Ndërsa miku i tij, Artan Shkreli tregoi rrugëtimin e përbashkët, ndërsa vlerësoi se “shtegu i trajektoreve që ai ndiqte, ndonëse oblike, kishte një qartësi kritike unikale”.
“Në qasjen ndaj përshfaqjeve të jetës së shqiptarëve, përmes fotografive, Lame na shoqëron në disa nga faqet më të mugëta e më sublime të historisë së vendit: krijon një kronikë personazhesh dhe atmosferash që duken të largëta nga jeta jonë e përditshme, por që në realitet u japin thellësi shumë ngjarjeve aktuale”, vlerësoi Shkreli.
Sipas tij, “libri shfaqet si një kalesë nëpër dritat dhe hijet e principatës dhe të republikës sonë, por pa pretenduar të jetë shterues ose ‘krejt’ objektiv; një vështrim mbi shqiptarët e djeshëm që flet shumë për paqartësitë dhe ndërliqjet e shqiptarëve të sotëm”.
“Libri i Lames priret të shpërbëjë rrëfimin tradicional dhe shpesh heroik të historisë së Shqipërisë, duke ofruar në fakt një “kundërhistori” ku theksi vihet mbi kontradiktat, mitet dhe zonat gri të së kaluarës”, u shpreh Shkreli.
Shkreli theksoi se “ai nuk e sheh historinë tonë si një proces linear përparimi, por si një seri përplasjesh mes interesave, ideologjive dhe narrativave të ndërtuara kohë më pas”.
Në thelb, Shkreli theksoi se “Shqipni e harrume – Një aventurë shqiptare përmes fotografive” është një reflektim kritik mbi mënyrën se si ndërtohen historitë kombëtare dhe se sa e brishtë është e vërteta historike kur ajo ndërkallet me ideologji, identitet dhe pushtet.
Artan Lame u nda nga jeta në 22 maj 2025 në moshën 58-vjeçare. Lame ishte publicist, opinionist, studiues i historisë shqiptare dhe një veprimtar për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të vendit. /atsh



