Besimtarët ortodoksë kremtojnë sot Ditën e Ristozit.
Kjo ditë e bekuar, e njohur ndryshe si Ngjitja e Krishtit në Qiell (ose e Enjtja e Ngjitjes), shënon përmbylljen e periudhës 40-ditore pas Pashkës, duke simbolizuar lavdinë hyjnore të Krishtit dhe triumfin e jetës mbi vdekjen.
Besimtarët e krishterë ortodoksë, në këtë ditë shkojnë në kishë, e veçanërisht në kishat dedikuar kësaj ngjarjeje, si ajo Ristozit, në Mborje. Pamje të kësaj kishe të shpallur Monument Kulture, përcolli në rrjetet sociale edhe Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Korçë. Kisha e Shën Ristozit në Mborje të Korçës është ndërtuar në vitin 1389.
Mendohet se, ndërtimi i parë i saj daton në vitin 886, e ndërtuar nga Shën Klementi, dhe pas rrënimit, u rindërtua në vitin 1389, në të njëjtin vend.
Në librat e shenjtë të ritit të krishterë ortodoks thuhet se, 40 ditë pas ringjalljes së tij, Jezu Krishti u ngjit në qiell në prani të apostujve, nga Mali i Ullinjve. Kjo ditë thekson natyrën hyjnore të Krishtit dhe sjell mesazhin e shpresës, duke treguar se njerëzimi është i ftuar në jetën e përjetshme dhe mbretërinë qiellore.



