Shtetet e Bashkuara presin që plani i Qeverisë në detyrë të Kosovës për themelimin e Xhandarmërisë të jetë “në përputhje me zotimet e saj për ruajtjen e paqes dhe sigurisë”.
Kështu tha për Radion Evropa e Lirë një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë, i cili shtoi se po “monitorojmë njoftimet e fundit sa i përket propozimit për krijimin e një force xhandarmërie në Kosovë”.
Më 19 maj, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi se janë ndërmarrë hapat e parë drejt themelimit të Xhandarmërisë së Kosovës. Ai tha se është nënshkruar dokumenti për krijimin e një grupi punues që do të bëjë analizimin dhe propozimin e modaliteteve për funksionimin e xhandarmërisë.
Sipas Sveçlës, kjo forcë do të ketë mision të qartë për ruajtjen e kufijve, integritetit dhe sovranitetit territorial, mbrojtjen nga terrorizmi, menaxhimin e trazirave dhe mbrojen e infrastrukturës kritike.
Ndërkaq, nga NATO-ja, e cila që nga viti 1999 ka misionin e saj paqeruajtës në Kosovë, KFOR, i thanë Radios Evropa e Lirë se po vëzhgojnë nga afër deklarimet e institucioneve në Kosovë për këtë çështje.
“U përket atyre që të komentojnë në më shumë detaje” për këtë çështje, tha një zyrtar i NATO-s.
KFOR-i, i cili është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë – pas Policisë së Kosovës dhe misionit për Sundim të Ligjit të BE-së, EULEX – veç tjerash, është përgjegjës për sigurinë në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
Zyrtari i NATO-s tha se aleanca vazhdon të bashkëpunojë me të gjitha organizatat e sigurisë në Kosovë dhe të japë kontribut për siguri të qëndrueshme për të gjithë.
Zyrtari i aleancës ushtarake perëndimore tha po ashtu se Ekipi Këshillues i NATO-s dhe Ndërlidhës (NALT) ka mbështetur zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës “në përputhje me mandatin e tij origjinal për mbrojtje civile, përmes ndërtimit të kapaciteteve, edukimit dhe trajnimit”.
“Ne presim që organizatat e sigurisë në Kosovë të vazhdojnë këtë qasje bashkëpunuese, duke u koordinuar me KFOR-in për të kontribuuar në sigurinë në Kosovë dhe stabilitetin rajonal, në të mirë të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, tha zyrtari i NATO-s në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Ndërkaq, nga Ambasada gjermane në Prishtinë thanë për Radion Evropa e Lirë se do të përmbahen nga komentimi për këtë çështje.
Lajmi për ndërmarrjen e hapave të parë për krijimin e Xhandarmërisë është kritikuar nga autoritetet në Beograd, të cilat kanë thënë se “KFOR është forca e vetme legjitime e armatosur në Kosovë, përgjegjëse për kontrollimin dhe patrullimin përgjatë vijës administrative”.
Ndonëse nuk dihen detaje se cili do të jetë misioni i saktë i Xhandarmërisë që Kosova mëton ta themelojë, drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Mentor Vrajolli, i tha më herët Radios Evropa e Lirë se një forcë e tillë sigurie do të mund të merrte kompetenca për ruajtjen e kufirit me Serbinë, që aktualisht është në mandatin e KFOR-it.
Sipas tij, Kosova duhet të përgatitet për çdo ndryshim të rolit të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, ndonëse tha se beson se ky mision do të qëndrojë për vite apo edhe një dekadë në vend.
Në këtë drejtim, ai kujtoi se shteti dhe KFOR-i kanë një marrëveshje që Forca e Sigurisë së Kosovës – që është në proces të transformimit në ushtri – të mos shkojë në veri pa pëlqimin e misionit paqeruajtës, duke thënë se Xhandarmëria do të mund të plotësonte këtë boshllëk.
“Përderisa është një marrëveshje xhentlëmene mes KFOR-it dhe FSK-së që të mos jetë shumë prezente në pjesën veriore, Xhandarmëria do ta krijonte një strukturë të re, e cila nuk është pjesë e kësaj marrëveshje xhentlëmene”, tha Vrajolli.
Sipas tij, kjo do të mundësonte që rolet e kontrollit kufitar dhe veprimeve të tjera që i bëjnë KFOR-i të jenë të përbashkëta me njësi që mund të jenë në kuadër të Policisë, apo në kuadër të MPB-së, “e që do të fillonte sa më parë procesin e krijimit të kapaciteteve vendore dhe njohurisë se si të ballafaqohemi me kërcënime bashkërisht me KFOR-in në veri dhe pjesë të tjera të Kosovës”.
Dërgimi i FSK-së – që është në proces të transformimit në ushtri – në veri të vendit është i mundur vetëm me pëlqimin paraprak të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës ndaj NATO-s.
Ky angazhim, i dhënë përmes një letre nga ish-kryeministri Hashim Thaçi drejtuar sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, mbetet në fuqi edhe sot, pavarësisht ndryshimeve në mandatin e FSK-së.
Vrajolli vlerësoi se Kosova nuk ka nevojë që të ketë një xhandarmëri që do të merrej me incidente të brendshme, pasi vlerëson se Policia e Kosovës është e aftë të ballafaqohet me to.
“Pikërisht fakti që vija kufitare mbrohet nga KFOR-i, KFOR ka përgjegjësi të zgjeruara në këtë fushë dhe nevojitet që ne të krijojmë institucionet tona që janë të gatshme ta zëvendësojnë KFOR-in kurdo që KFOR-i nuk është aty”, u shpreh ai.
Xhandarmëria është një forcë e sigurisë që ka karakter ushtarak dhe kryen detyra policore. Në disa shtete mund të jetë pjesë e Ministrisë së Brendshme, në të tjera pjesë e forcave të armatosura.
Shumë shtete kanë xhandarmërinë e tyre, përfshirë edhe fqinji verior i Kosovës, Serbia, xhandarmëria e së cilës funksionon në kuadër të policisë.
Xhandarë kanë edhe shtete të tjera, përfshirë të NATO-s, sikurse është rasti i Francës. Në këtë shtet, Xhandarmëria është pjesë e forcave të armatosura. /REL
Maqedonci mirëpret raportin e SHBA-së që konfirmon mbështetjen ndaj FSK-së



