Një vijë e re dhe jashtëzakonisht e rrezikshme duket se është kaluar në përplasjen mes Teheranit dhe Uashingtonit. Këtë herë, në qendër të kërcënimit nuk është vetëm Presidenti amerikan Donald Trump – por djali i tij më i vogël, Barron Trump.
Media shtetërore iraniane ka transmetuar një video afro treminutëshe që duket se kërcënon drejtpërdrejt jetën e Barron Trump, 20 vjeç, duke e veçuar atë publikisht si objektiv.
Sipas Reuters dhe CNN, materiali pretendon se Barron po monitorohet dhe paraqet pretendimin se për të është vendosur një shpërblim prej 10 milionë dollarësh. Ky pretendim nuk është konfirmuar si një vendim formal i qeverisë iraniane, por fakti që materiali është transmetuar përmes medias shtetërore të Iranit ka ngritur alarm serioz në Shtetet e Bashkuara.
SECRET SERVICE REAGON
Reagimi amerikan ka qenë i menjëhershëm. Shërbimi Sekret i Shteteve të Bashkuara ka konfirmuar se është në dijeni të videos dhe po e heton kërcënimin. Zëdhënësi Nate Herring tha se Secret Service heton çdo çështje që mund të perceptohet si kërcënim ndaj personave që janë nën mbrojtjen e tij, ndërsa refuzoi të japë hollësi mbi masat konkrete të sigurisë. Dhe një element e bën rastin edhe më serioz: Sipas CNN, kjo duket të jetë hera e parë që Barron Trump veçohet në këtë mënyrë në një kërcënim publik nga media iraniane.
NGA TRUMP TE FAMILJA E TIJ
Kërcënimi ndaj Barronit nuk po shihet i izoluar. Tensionet ndërmjet Iranit dhe Shteteve të Bashkuara janë në një prej niveleve më të rënda të viteve të fundit, ndërsa retorika kundër familjes Trump është intensifikuar. Washington Post thekson se shqetësimet amerikane për komplote iraniane kundër zyrtarëve të lartë amerikanë kanë ekzistuar prej vitesh dhe janë shtuar pas eliminimit të figurave të larta ushtarake dhe politike iraniane. Por tani objektivi i propagandës kërcënuese është zhvendosur te një anëtar i familjes presidenciale që, deri më sot, kishte qëndruar kryesisht larg politikës dhe vëmendjes publike.
Barron Trump – 20 vjeç.Djali më i vogël i Presidentit të Shteteve të Bashkuara.
NJË MESAZH PËR DONALD TRUMP?
Pyetja që tashmë shtrohet në Washington është nëse kërcënimi ndaj Barronit është më shumë sesa një akt propagandistik. A po tenton Teherani t’i dërgojë një mesazh personal Donald Trumpit duke vënë në shënjestër familjen e tij?
Dhe mbi të gjitha: Sa larg është i gatshëm të shkojë Irani në përplasjen me Presidentin amerikan?
Për momentin, një gjë është e sigurt: Videoja është marrë seriozisht nga autoritetet amerikane.
Secret Service është përfshirë. Barron Trump është nën mbrojtje. Dhe konflikti Iran–SHBA sapo ka marrë një dimension shumë më personal.



