Princi i kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, ka akuzuar Izraelin për kryerjen e “gjenocidit kolektiv” në Gaza.
“Mbretëria përsërit dënimin dhe refuzimin absolut të gjenocidit kolektiv të kryer nga Izraeli kundër popullit vëlla palestinez”, deklaroi ai gjatë një mbledhjeje të liderëve të kombeve islamike të organizuar nga Arabia Saudite në Riad të hënën.
Princi i kurorës, i njohur gjerësisht me inicialet e tij MBS, mbrojti gjithashtu Iranin, në kontrast të plotë me komentet e tij në vitin 2017 që krahasonin Udhëheqësin Suprem iranian Ayatollah Ali Khamenei me Adolf Hitlerin.
Ai i kërkoi komunitetit ndërkombëtar që “të detyrojë Izraelin të respektojë sovranitetin e Iranit dhe të mos sulmojë territoret (iraniane).
Arabia Saudite kohët e fundit ka sinjalizuar më shumë përfshirje politike dhe ndryshime politike në mbështetje të palestinezëve.
Vitin e kaluar mbretëria ishte në procesin e negocimit të një marrëveshjeje historike të normalizimit me Izraelin, por kohët e fundit tha se ishte “jashtë tryezës” pa shtetësinë palestineze, një kërkesë e refuzuar nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.
Irani dërgoi në konferencën e Riadit nënpresidentin e tij të parë, Mohammad Reza Aref, i cili në fjalimin e tij vajtoi vdekjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Hezbollahut, Hassan Nasrallah dhe liderëve të Hamasit, Ismail Haniyeh dhe Yahya Sinwar.
Arabia Saudite kundërshton fuqishëm milicitë e mbështetura nga Irani, si Hezbollahu dhe Hamasi.
Riadi dhe Teherani riparuan lidhjet vitin e kaluar pas dekadash armiqësie mbi ndikimin rajonal.
Ata që morën pjesë në takimin e nivelit të lartë përfshinin presidentin palestinez Mahmoud Abbas, kryeministrin e përkohshëm libanez Najib Mikati, mbretin e Jordanisë Abdullah II dhe presidentin egjiptian Abdel Fattah el-Sisi.
Presidentët Rexhep Tajip Erdogan i Turqisë dhe Bashar al-Asad i Sirisë, të cilët ishin gjithashtu në takim, debatuan lidhur me operacionet ushtarake të Turqisë në Sirinë veriore dhe mbështetjen e saj për grupet rebele.
Qëllimi i deklaruar i takimit të së hënës ishte “unifikimi i pozicioneve” dhe “ushtrimi i presionit” ndaj komunitetit ndërkombëtar për të ndërmarrë hapa për t’i dhënë fund “sulmeve të vazhdueshme dhe për të vendosur paqen e qëndrueshme” në rajon, tha agjencia shtetërore qeveritare saudite.



