Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka treguar se si do të organizohet puna në Qendrat Komunale të Numërimit më 31 dhjetor 2025 dhe 1 janar 2026.
Sipas KQZ-së, në natën e vitit të ri nuk do të ketë numërim të fletëvotimeve, por më 31 dhjetor, ky proces do të ndërpritet në orën 12:00 dhe do të vazhdojë më 1 janar, në orën 16:00.
“Duke pasur parasysh faktin se jemi në periudhë festash, por edhe domosdoshmërinë që procesi i numërimit të mos ketë ndërprerje të gjatë, më 31 dhjetor do të punohet deri në orën 12:00, ndërkaq, puna në Qendrat Komunale të Numërimit do të vazhdojë më 1 janar, në orën 16:00”, tha Elezi.
Sipas Elezit, në Qendrat Komunale të Numërimit janë planifikuar të kryhen aktivitete të rëndësishme, siç janë: verifikimi i rezultateve të subjekteve politike pas numërimit të fletëvotimeve në vendvotime dhe numërimi i votave të kandidatëve për deputetë.
“Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, numërimi i votave të subjekteve politike bëhet në vendvotime dhe rezultatet evidentohen në formularë të rezultateve, të cilat pastaj publikohen nga KQZ si rezultate preliminare. Po sipas të njëjtit ligj, në Qendrat Komunale të Numërimit, do të bëhet numërimi i votave të kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës. Para numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, sipas Rregullores Zgjedhore të KQZ-së për QKN, në këto qendra bëhet verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve”, tha Elezi.
Verifikimi i rezultateve dhe numërimi i votave të kandidatëve për deputetë, do të bëhet në 38 Qendra Komunale të Numërimit, duke ofruar transparencë të plotë dhe në prezencë të vëzhguesve.



