Kryeministri kanadez Mark Carney, njoftoi se do të takohet me Presidentin e SHBA-së Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, të martën e ardhshme.
Vizita e Carney-t vjen në kontekstin e konflikteve të vazhdueshme tregtare midis dy vendeve, së bashku me kërcënimet e Trump për të aneksuar Kanadanë si shteti i 51-të i SHBA-së.
“Të martën, pata një telefonatë shumë konstruktive me Presidentin Trump dhe ramë dakord të takohemi të martën e ardhshme në Uashington”, tha Carney.
“Qeveria ime do të luftojë për të arritur marrëveshjen më të mirë për Kanadanë”.
“Po takohemi si krerët e qeverive tona”, theksoi Carney, duke shtuar se nuk po “bënte sikur këto diskutime do të jenë të lehta”.
Të hënën, Partia Liberale e Carney-t regjistroi një fitore mbresëlënëse në zgjedhjet parlamentare federale, të cilat u panë kryesisht si një përgjigje ndaj Trump, konflikti tregtar i të cilit dhe kritikat ndaj sovranitetit kanadez zemëruan elektoratin.
Liberalët siguruan 168 nga 343 vende në Dhomën e Komunave të Kanadasë, gjë që u lejon atyre të krijojnë një qeveri minoritare, megjithëse nuk arritën 172 vendet e nevojshme për shumicën.
Duke folur pas natës së zgjedhjeve, Carney tha se kanadezët zgjodhën një qeveri të re për t’iu kundërvënë Trump dhe për të ndërtuar një ekonomi të fortë.
Ai tha gjithashtu se një vizitë e ardhshme e Mbretit Charles III do ta shohë atë të mbajë një fjalim ku do të përshkruajë prioritetet e qeverisë kanadeze më 27 maj, kur Parlamenti të rifillojë punimet.
“Kjo nënvizon qartë sovranitetin e vendit tonë”, tha Carney për vizitën e ardhshme, në vërejtjet që synonin thirrjen e përsëritur të Trump që Kanadaja të jetë shteti i 51-të i SHBA-së.



