Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku i ka reaguar kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, të cilit përmes një postimi në rrjete sociale, i thotë se nuk mund ta kuptojë madhështinë e LDK-së.
Kryetari Abdixhiku ka shkruar në Facebook se Kurti nuk mund ta kuptojë as dinjitetin në politikë, të cilit ia radhiti me rend “të bëmat” e tij. Ai ka shkruar se është i bindur që Kurti parimet nuk i kupton, e po ashtu siç tha ai, fjalën e dhënë edhe më pak.
Ky reagim i të parit të LDK-së vjen pasi Kurti, gjatë ditës së sotme, në një konferencë për media tha se nuk e kupton aspak këtë parti.
“S’e kupton as dinjitetin në politikë, as madhështinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës; e as faktin se ka ardhur një gjeneratë e re në vend ku fjala e dhënë ka peshë. Dhe s’ka pozitë, s’ka pushtet e s’ka ofertë që mund të shkelë mbi këtë vlerë. Prandaj çuditet! Prandaj s’kupton. Kur pushtetarët e shkëputur nga populli i afrohen fundit, gjërat më nuk u japin sens. LDK-në mund ta sulmoni. Mund edhe ta ofendoni – por vetëm kaq keni mundësi. Nuk ju vjen rendi për më shumë. LDK po ecë drejtë. Në rrugën e vet. Për vete dhe për Republikën që e krijoi vet”, ka shkruar Abdixhiku.
“Një njeri që për tetë muaj bllokon shtetin duke thënë se i ka votat por s’po e lenë, dhe në fund mashtron; një njeri që për 48 herë e shkel Kushtetutën dhe mburret se çfarë po bën; një njeri që uzurpon institucionet duke qenë herë kryeministër e herë deputet; një njeri që s’i respekton gjykatat e Republikës siç respektohen ato në shtetin ku ai rrit familjen e vet; një njeri që vendoset mbi prokurorinë e i mbron të korruptuarit partiakë veç se janë të tij; një njeri që vetëm ofendon e vetëm përçan kudo që prek; një njeri që akuzon kundërshtarët politikë, shtëpinë e madhe të demokracisë me tradhtarë të Serbisë veç pse mendojnë ndryshe nga ai; një njeri që na ofendon elektoratin me ‘hajvanat’ dhe pret shtrirje qafe më pas; një njeri që na izolon Republikën e vet, e na e humbë të ardhmen e fëmijëve në këtë shtet; një njeri që nuk e kupton bashkëpunimin, unitetin, e afrimin si akt patriotik sot; një njeri që ndryshon pa mërzi secilin premtim publik”.



