Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, kujtoi rrugën deri te pavarësia e Kosovës, gjatë fjalës së tij në seancën solemne në Kuvend.
Në themel të kësaj rruge, ai tha se “qëndron filozofia politike e atit themeltar të Republikës sonë, presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova dhe gjithë lëvizjes paqësore të viteve ’90”.
Abdixhiku tha se Rugova i dha “orientim historik, epokal” vendit dhe “e ktheu në çështje ndërkombëtare”.
“Lëvizja paqësore nuk ishte zgjidhje e lehtë”, tha ai. Tha se ishte “refuzim i urrejtjes dhe hakmarrjes si mjete politike”.
Ai përmendi edhe luftën e UÇK-së dhe Prekazin, që tha se “e zgjoi ndërgjegjen kombëtare kur padrejtësia kishte arritur kufirin e saj të fundit”.
Sot, Abdixhiku tha se ka “shumë arsye që të jemi krenarë”.



