Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka shënuar 36-vjetorin e themelimit me një ceremoni solemne, ku kryetari Lumir Abdixhiku deklaroi se LDK, për më shumë se tri dekada e gjysmë, ka qenë “shtylla e lirisë, demokracisë dhe vetështetësisë së Kosovës”, duke e quajtur këtë përvjetor moment reflektimi dhe ripërtëritjeje të zotimit ndaj vlerave themelore të partisë.
Abdixhiku kujtoi rrethanat e vitit 1989, kur sipas tij, në atmosferë represioni e dëshpërimi, një grup vizionarësh themeluan LDK-në si formacionin e parë pavarësist të Kosovës, në krye me Ibrahim Rugovën, të cilin e cilësoi “ati themeltar i shtetit të Kosovës”.
Duke folur për aktualitetin politik, Abdixhiku tha se LDK sot bart përgjegjësi të veçantë për orientimin e vendit në vitet që vijnë, sidomos në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Ai theksoi se këto zgjedhje janë përcaktuese jo vetëm për dekadën e katërt të LDK-së, por edhe për dekadën e aspiratave strategjike të Kosovës, duke përmendur anëtarësimin në NATO, rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian, si dhe zhvillimin dhe modernizimin e vendit.



