E PLOTËSUAR / Ka përfunduar takimi mes liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ku është diskutuar për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri. Takimi ka zgjatur rreth dy orë.
Pas përfundimit të takimit kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku e vlerësoi takimin të mirë, të mbarë e përmbajtësor, derisa tha se bashkë u dakorduan që janë dy rrugë përpara; ose konsensusi politik ose një marrëveshje klasike politike mes dy partive për çështjen e presidentit.
“Ishte një takim ndërpartiak, që diskutonte çështjen e ardhshme të zgjedhjes së presidentit dhe jo vetëm”, tha fillimisht Abdixhiku për media pas takimit.
Ai tha se me Kurtin folën edhe për çështje të sigurisë, çështje në interes të përbashkët, teksa tha se e falënderoi kryeministrin edhe për përfshirjen e buxhetit të Prishtinës në buxhetin qendror.
“Biseduam për çështje të marrëveshjeve ndërkombëtare. Por, në përgjithësi folëm për çështjen e ardhshme më të rëndësishme, atë të presidentit dhe afatit kushtetues që po na rrjedhë. Janë vetëm dy rrugë përpara që duhet ose konsensus politik në mes aktorëve të vendit, dhe ky konsensus duhet ndërtuar në këto 8-9 ditët e ardhshme, ose duhet një marrëveshje klasike politike. Dhe në të dyja rastet duhen së paku dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, tha Abdixhiku
Fillon takimi Kurti – Abdixhiku
Ka filluar takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Ky takim po mbahet në hapësirat e Kuvendit të Kosovës. As Kurti e as Abdixhiku nuk u deklaruan për media para fillimit të takimit.
Takimi mes Kurtit dhe Abdixhikut zhvillohet në Kuvend nga ora 14:00
Kryeministri i Kosovës, lideri i Vetëvendosjes do të zhvillojë takim sot nga ora 14:00 me liderin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku në hapësirat e Kuvendit të Republikës. Këtë e ka konfirmuar për RTKlive, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
“Kryeministri Kurti takon sot kryetarin e LDK-së, Abdixhiku në orën 14:00 në hapësirat e Kuvendit”, tha Kryeziu për RTKlive.
Zgjedhja e presidentit, Kurti sot pritet të takohet me Abdixhikun
Në kohën kur kanë mbetur më pak se dhjetë ditë për zgjedhjen e presidentit ose presidentes së Kosovës, sipas afateve kushtetuese, kryeministri Albin Kurti ka nisur takimet me përfaqësues të partive opozitare për koordinim parlamentar.
Kryeministri Kurti, i cili është edhe kryetar i Lëvizja Vetëvendosje, ka paralajmëruar se sot do të takohet me kryetarin e Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, për të vazhduar koordinimin parlamentar lidhur me zgjedhjen e kreut të shtetit.
Ndërkohë, Kurti dje është takuar edhe me kryetarin e Partia Demokratike e Kosovës dhe deputetin e Kuvendit, Bedri Hamza. Kryeministri ka bërë të ditur se gjatë takimit e ka falënderuar liderin e opozitës për bashkëpunimin e deritanishëm në votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Sipas njoftimit, gjatë takimit u diskutua nevoja për bashkëpunim mes deputetëve për të siguruar një votim të suksesshëm, duke pasur parasysh se për zgjedhjen e Presidentit nevojiten së paku dy të tretat e votave të Kuvendi i Kosovës.
U bisedua gjithashtu për zhvillimet politike në vend dhe më gjerë, si dhe për nevojën e hapjes së një kapitulli të ri të komunikimit dhe dialogut konstruktiv ndërmjet qeverisë dhe opozitës, në të mirë të Republika e Kosovës dhe pluralizmit demokratik. Natyrisht, temë e diskutimit ishte edhe zgjedhja e Presidentit, për të cilën kanë mbetur vetëm dhjetë ditë sipas afateve kushtetuese, thuhet në njoftimin e Zyra e Kryeministrit.
Ndërkaq, Bedri Hamza ka deklaruar përmes një postimi në Facebook se zgjedhja e Presidentit nuk është çështje e një partie të vetme, por e të gjithë përfaqësuesve të zgjedhur të popullit. Ai ka bërë të ditur se i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrit për të diskutuar zhvillimet politike dhe procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri.
Hamza theksoi se PDK-ja, si subjekt opozitar, nuk ka qenë dhe nuk është pengesë e proceseve shtetërore, por nuk do të mbështesë kandidatura që, sipas tij, nuk përfaqësojnë unitetin qytetar në frymën kushtetuese. Ai shtoi se pret reflektim nga ata që kanë përgjegjësinë kushtetuese për të propozuar kandidatë me mbështetje të gjerë, duke shmangur kalkulimet afatshkurtra partiake.
Sipas Hamzës, stabiliteti institucional është jetik dhe interesi shtetëror duhet të jetë mbi çdo kalkulim politik, standard ky që, siç tha ai, do të mbrohet me vendosmëri.



