Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në Selinë Qendrore të partisë veprimtarin e njohur shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktarin, të cilin e vlerësoi si një nga zërat më të rëndësishëm të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Abdixhiku tha se kishte “kënaqësinë të presë një mik të madh të vendit”, duke theksuar rolin e jashtëzakonshëm të Bajraktarit në mbrojtjen dhe promovimin e interesave të Kosovës në arenën ndërkombëtare,
Postimi i plotë:
Sot, në Selinë Qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pata kënaqësinë të pres veprimtarin e shquar shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktarin; një nga zërat më të fuqishëm të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Shpreha mirënjohjen time të thellë për kontributin e jashtëzakonshëm të z. Bajraktari në afirmimin e çështjes sonë kombëtare për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Republikës së Kosovës; për rolin e tij të pazëvendësueshëm në forcimin e pozitës së vendit tonë në arenën ndërkombëtare; dhe për zërin e tij të fuqishëm, i cili në kohët më të vështira dhe vendimtare ka përfaqësuar me dinjitet të drejtat e popullit të Kosovës para institucioneve amerikane.
Si mbështetës i palëkundur i Kosovës qysh në vitet e hershme, ai ka bashkëpunuar ngushtë me Presidentin Rugova, duke e artikuluar me kompetencë dhe besnikëri kauzën e vendit tonë para politikëbërësve amerikanë, në një periudhë kur Kosova kishte nevojë jetike për miq e aleatë.
E falënderoj Harry Bajraktarin për gjithçka që ka bërë e vazhdon të bëjë për Kosovën. Ai mbetet mik i madh, zë i fuqishëm dhe mbështetës i paepur i vendit tonë.



