Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka reaguar ashpër ndaj një vendimi të fundit gjyqësor që obligon Ndërmarrjen Publike Banesore (NPB) të paguajë mbi 32 milionë euro në emër të “fitimit të humbur”.
Tahiri e ka cilësuar këtë vendim si një rast të paprecedentë dhe tejet të dëmshëm për buxhetin e kryeqytetit. Sipas tij, i gjithë procesi gjyqësor ka zgjatur vetëm shtatë ditë dhe është zhvilluar në vetëm dy seanca, duke favorizuar një konsorcium kompanish private mbi bazën e një kontrate që më parë ishte rrëzuar nga Gjykata e Apelit.
„Është hera e parë në Kosovë që një projekt që nuk ka nisur kurrë, ku nuk është vendosur asnjë tullë dhe nuk ka pasur zbatim real, shpërblehet me ‘fitim të humbur’ në këtë nivel“, deklaroi Tahiri.
Rreziku për buxhetin e Prishtinës Ai rikujtoi se bëhet fjalë për një kontratë të vitit 2021, të lidhur gjatë mandatit të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila kishte qenë e bllokuar për vite për shkak të paligjshmërive. Tahiri theksoi se ky „aktgjykim skandaloz“ i Gjykatës Komerciale rrezikon të gllabërojë gati një të katërtën e buxhetit të Prishtinës, i cili kap vlerën e rreth 150 milionë eurove.
Sipas zyrtarit të PDK-së, procesi është karakterizuar nga një urgjencë e pashpjegueshme dhe një ekspertizë joprofesionale. Ai hodhi dyshime për ndikime të grupeve të interesit dhe „oligarkëve të pushtetit“ brenda Gjykatës Komerciale, ndërsa kërkoi që ky vendim të rrëzohet nga Gjykata e Apelit për të mbrojtur paratë e qytetarëve.
Vazhdimi i betejës ligjore Tahiri bëri të ditur se vendimi tashmë është kundërshtuar me ankesë nga zyra e avokatit Faton Fetahu, i cili ka punuar pro bono gjatë gjithë procesit. Ai paralajmëroi se beteja ligjore do të vazhdojë deri në rikthimin e ligjshmërisë dhe mbrojtjen e interesit publik të kryeqytetit.



