Nisma më e fundit “Adopto një film për restaurim” e lançuar nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, synon të përfshijë publikun dhe dashamirësit e kinemasë shqiptare në ruajtjen e trashëgimisë sonë filmike, duke u dhënë mundësinë të kontribuojnë drejtpërdrejt në restaurimin e filmave të vjetër.
Të gjithë të interesuarit mund të shprehin dëshirën e tyre për të mbështetur restaurimin e një filmi përmes rrjeteve sociale të institucionit ose duke kontaktuar në adresën zyrtare të emailit. Emrat e kontribuuesve do të përfshihen në titrat hyrës të filmit të restauruar, si një formë mirënjohjeje publike, dhe do të bëhen të njohur edhe në media.
Filmi i parë që do të restaurohet në kuadër të kësaj nisme është Mimoza Llastica, një nga veprat më të dashura të kinemasë shqiptare për fëmijë. Restaurimi i tij po bëhet i mundur falë mbështetjes së aktores Teuta Doci, pjesë e kastit të filmit, e cila ka vendosur të kontribuojë në rikthimin e tij në cilësi të përmirësuar për brezat e rinj.
Kjo iniciativë hap një kapitull të ri në mënyrën se si trashëgimia kulturore mund të ruhet dhe të rijetësohet, duke bashkuar institucionet dhe publikun në një mision të përbashkët. /atsh



