spot_img
E diel, 28 Shtator, 2025
00:07
HomeRajoniMaqedonia e VeriutAeroporti i Shkupit në hall me zogjtë, raportohen telashe në dy aeroplanë

Aeroporti i Shkupit në hall me zogjtë, raportohen telashe në dy aeroplanë

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Në vetëm një javë, në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit janë regjistruar dy incidente të ndara ku avionë pasagjerësh janë përplasur me jato zogjsh, duke ngritur shqetësime për sigurinë ajrore.

Incidenti i parë ndodhi të mërkurën rreth orës 18:00, kur një avion i kompanisë “Wizz Air” i tipit Airbus A320-232, në fluturimin nga Shkupi për në Bazel, u përplas me një jato zogjsh menjëherë pas ngritjes nga pista.

- Advertisement -

Sipas informacioneve, një zog më i madh ka goditur njërin nga motorët, duke shkaktuar vibrime për shkak të dëmtimit të tehëve.

Edhe pse të dy motorët vazhduan të funksionojnë, kapiteni vendosi të kthejë avionin dhe të ulet në mënyrë të sigurt, duke ndjekur protokollet e sigurisë.

- Advertisement -

Pasagjerët u evakuuan normalisht, pa shpallje emergjente, ndërsa avioni mbeti i bllokuar në tokë për kontroll teknik.

Disa ditë më vonë, një tjetër avion i tipit të njëjtë, kësaj radhe i kompanisë “Austrian Airlines”, në fluturimin e mëngjesit për në Vjenë, u përball me një situatë të ngjashme.

Rreth orës 04:30 të mëngjesit, ekuipazhi ndërpreu ngritjen ndërsa avioni ndodhej në pistë, për shkak të pranisë së një jate zogjsh. Pas verifikimeve të nevojshme, fluturimi u vonua me rreth katër orë.

Koncesionari i aeroportit, TAV, ka konfirmuar se përdor mjete për frikësimin e zogjve – siç janë topat ajrorë me zë të lartë – por është vërejtur një rritje e numrit të zogjve në zonën e aeroportit, si dhe një adaptim i tyre ndaj këtyre masave.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO), 90% e përplasjeve me zogj ndodhin pranë aeroporteve, kryesisht gjatë ngritjes ose uljes.

Edhe pse motorët modernë janë ndërtuar për të përballuar goditje nga zogj të vegjël, përplasjet me zogj të mëdhenj ose me jato të tëra mund të shkaktojnë dëme serioze.

Ekspertët theksojnë nevojën për masa shtesë dhe monitorim më të rreptë të faunës përreth zonës ajrore, për të parandaluar incidente të ngjashme në të ardhmen, të cilat, edhe pse nuk kanë rezultuar me pasoja, paraqesin rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë e pasagjerëve dhe ekuipazheve.

ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat