Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka reaguar ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti lidhur me komentet e tij për Ligjin për gjuhët.
Ahmeti në një mbledhje të organizuar nga dega e BDI-së në Butel, para qindra simpatizantëve e anëtarëve të partisë porositi të gjithë faktorët politik brenda dhe jashtë shtetit “se gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut është zyrtare dhe me tërë qenien tonë do ta mbrojmë këtë”.
Lideri Ahmeti theksoi se Marrëveshja e Ohrit është arritur me gjakun e dëshmorëve e është jetësuar me djemtë më të mirë të UÇK-së që vazhduan idealin e tyre në BDI, ‘andaj sa të jetë gjallë BDI-ja, në opozitë apo në pozitë themelet e Marrëveshkes së Ohrit nuk tolerojmë të preken’.
“Gjithashtu, ai siguroi se me gjithë kapacitetin e tij do të bëj çmos të ndal këtë turpërim që janë duke e toleruar të ndodhë shkelësit e legjitimitetit shqiptar në Qeveri”, citohet në komunikatë Ahmeti.
Deklarimi i kryeministrit Kurti se Gjykata Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut duhet të marrë vendim të drejtë për Ligjin për gjuhët “ku s’ka diskriminim dhe as përjashtime për shqiptarët”, ka shkaktuar reagime të shumta në shtetin fqinj.