Nënkryetari i Kuvendit dhe deputeti demokrat Agron Gjekmarkaj ka vlerësuar nderimin e akademikut dhe shkrimtarit Sabri Hamiti me titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i Tiranës.
Në një postim në rrjetet sociale, Gjekmarkaj e cilësoi Hamitin si një prej personaliteteve më të shquara të kombit shqiptar, që ka dhënë kontribute të jashtëzakonshme në fushën e albanologjisë, letërsisë dhe mendimit kombëtar.
Ai thekson se ky vlerësim është një nder jo vetëm për figurën e Hamitit, por edhe për vetë universitetin, që dëshmon emancipim dhe respekt ndaj dijes, kulturës dhe bashkimit shpirtëror mbarëkombëtar.

Postimi i plotë i Gjekmarkajt:
Akademiku dhe miku i çmuar Sabri Hamiti u nderua dje me titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i Tiranës. Ky vlerësim përfaqëson një njohje të merituar për një personalitet të shquar të kombit tonë, i cili ka dhënë kontribute të jashtëzakonshme në fushën e albanologjisë, studimeve kritike dhe poezisë. Si një mendimtar i thellë dhe krijues i veçantë, Sabri Hamiti ka ndikuar fuqishëm në formimin e mendimit letrar dhe kulturor shqiptar.
Përtej dimensionit akademik, Sabri Hamiti ka qenë një ndër themeluesit e shtetit të Kosovës, një personalitet e ideolog që jetën e tij ia kushtoi lirisë kombëtare dhe idealit të pavarësisë së Kosoves!
Ai pagoi një çmim të lartë për këtë rrugë, por e bëri me vetëdije dhe përkushtim të plotë ndaj kauzës kombëtare. Si mik jete dhe bashkëudhëtar i presidentit historik Ibrahim Rugova, Hamiti mbetet një simbol i urtësisë, qëndresës dhe vizionit për një shoqëri demokratike dhe të qytetëruar.
Me dhënien e këtij titulli të lartë, Universiteti i Tiranës tregoi jo vetëm vlerësim për veprën e një njeriu të madh, por edhe një nivel të lartë emancipimi institucional e kulturor. Ky akt nderon dijen, kulturën dhe bashkimin shpirtëror të universiteteve shqiptare në gjithë hapësirën mbarëkombëtare. Është një homazh për një jetë të vënë në shërbim të kombit dhe një shembull frymëzues për brezat e rinj të studiuesve dhe krijuesve shqiptarë.



