Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sot në fshatin Çungur të Pejës, ku për pasojë ka mbetur një person i vdekur dhe një tjetër i lënduar.
Sipas raportimeve, viktima është vëllai i këngëtarit kosovar Besart Kelmendi, i njohur edhe si “Gjesti”.
Lajmin për media e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
Ai tha se policia është njoftuar për një përplasje ndërmjet një veture dhe një katërçiklisti, të cilët kishin marrë lëndime.
Njëri prej tyre s’ka arritur t’i mbijetojë plagëve të marra.
“Mjeku që ka dalë në vendin e ngjarjes ka konstatuar vdekjen e njërit prej tyre, ndërsa i lënduari tjetër është dërguar për trajtim urgjent në emergjencën e Spitalit Rajonal të Pejës”, tha ai.
Ai tha se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe hetuesit e aksidenteve, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.