Kanalin Anglez e përshkoi sërish hija e tensioneve: Marina Mbretërore britanike ka interceptuar dhe ndjekur nga afër anije ruse, ndërsa Londra i ka dërguar një paralajmërim të drejtpërdrejtë Vladimir Putinit se e di “pikërisht se çfarë po bën marina e tij”.
Sipas njoftimeve, operacioni zgjati dy ditë dhe u zhvillua në koordinim me aleatët e NATO-s. Anijet patrulluese HMS Mersey dhe HMS Severn, bashkë me një helikopter Wildcat (815 Naval Air Squadron), u aktivizuan për të monitoruar korvetën ruse Boikiy dhe cisternën shoqëruese MT General Skobelev, teksa lundronin drejt Detit të Veriut.
Fillimisht, HMS Mersey i “mori në dorë” anijet ruse në hyrje të Kanalit, pasi ato ishin ndjekur më herët nga aleatët përmes Gjirit të Biskajës. Më pas, pranë Ishullit të Wight, Mersey dhe Severn u bashkuan me helikopterin Wildcat, duke përdorur sensorë për vëzhgim të afërt, raportim dhe grumbullim informacioni mbi lëvizjet e tyre. Monitorimi vazhdoi deri në Detin e Veriut, ku më pas përgjegjësia iu dorëzua një aleati të NATO-s.
Ministri britanik për Forcat e Armatosura, Al Carns, tha se mesazhi është i qartë: sa herë që një anije ruse afrohet pranë Mbretërisë së Bashkuar, Marina është gati të “gjurmojë, dekurajojë dhe mbrojë”.
Ndërkohë, në Mesdhe u raportua edhe një operacion tjetër: anija HMS Dagger monitoroi cisternën Grinch, e cila u hip nga forcat franceze. Tankeri përmendet si pjesë e “flotës hije” ruse – anije të sanksionuara nga Britania dhe BE për tregtinë e naftës së sanksionuar. Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey, tha se goditja ndaj kësaj flote është prioritet, me synimin “t’i priten fondet” që, sipas Londrës, ushqejnë luftën e Rusisë në Ukrainë.
Ky aktivizim vjen vetëm dy javë pasi HMS Mersey dhe një Wildcat interceptuan në Detin e Veriut shkatërruesin rus Severomorsk dhe dy anije të tjera, gjatë kalimit nëpër Ngushticën e Doverit dhe Kanalin Anglez.



