Një person ka humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri që ndodhën në orët e para të mëngjesit në Gjakovë.
Lajmin për media e ka konfirmuar zëdhënës i Policisë Rajonale në Gjakovë, Shermet Elezi.
“Sot rreth orës 05:30, policia është njoftuar për të shtëna me armë zjarri në rrugën “Vëllezërit Frashëri” në Gjakovë, ku dy persona meshkuj të moshës madhore janë qëlluar. Si pasojë e plagëve të marra, njëri prej tyre ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, gjë që është konstatuar nga ekipi mjekësor. Ndërkaq, personi tjetër ka mbetur i plagosur dhe është dërguar për trajtim mjekësor”, ka thënë Elezi.
Ai ka thënë s njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa është njoftuar edhe prokurori i shtetit, i cili gjithashtu ka dalë në vendngjarje.
Aktualisht, autoritetet janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të identifikimit dhe arrestimit të të dyshuarit, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.



