Avokati Alban Arifi ka reaguar pas zhvillimeve të fundit dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, duke akuzuar Qeverinë dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje për sulme të njëpasnjëshme ndaj institucioneve të drejtësisë në Kosovë.
Sipas Arifit, këto sulme kanë përfshirë Prokurorinë, Gjykatat dhe deri te instanca më e lartë e drejtësisë, Gjykata Kushtetuese, duke përbërë kështu “një kërcënim serioz ndaj rendit kushtetues dhe sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës”.
Ai theksoi se deklarimet dhe veprimet e vazhdueshme, të cilat synojnë të delegjitimojnë dhe të nënçmojnë punën e institucioneve të pavarura, tregojnë qartë se “partia më e madhe në pushtet është e interesuar të krijojë një shtet autoritar dhe jokushtetues, ku ligji dhe Kushtetuta përdoren sipas dëshirës dhe nevojave politike të pushtetit.”
Ky reagim vjen në një kohë kur debati për pavarësinë e institucioneve të drejtësisë në vend është intensifikuar, pas vendimeve të fundit të Gjykatës Kushtetuese dhe kritikave të ashpra nga përfaqësues të pushtetit.