Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga foltorja e Kuvendit, ka mbrojtur projektligjin e ri për Këshillin e Pavarur të Mediave (KPM), duke theksuar se liria e fjalës nuk mund të ndërtohet mbi fshehtësinë e financave dhe interesat e padukshme.
Sipas raportimit të Ekonomia Online, Kurti u shpreh kritik ndaj mënyrës se si operojnë disa media, duke përmendur si shqetësim serioz raportimet për financime me „thasë parash“, të cilat sipas tij dëmtojnë etikën dhe integritetin e debatit publik.
„Një demokraci nuk jeton vetëm nga bota e çliruar, por edhe nga fjala e lirë. Dhe kjo duhet të jetë e lirë për të qenë e vërtetë. Por fjala nuk mund të jetë e lirë nëse është e kapur nga interesat e fshehta. Raportimet për financime me thasë parash nuk janë vetëm një problem i etikës profesionale; ato janë një kërcënim i drejtpërdrejtë për integritetin e debatit publik“, deklaroi kryeministri.
Transparenca si mbrojtje ndaj manipulimit Kurti nënvizoi se paratë e padukshme në media orientojnë narrativën dhe deformojnë realitetin për qytetarët, duke i bërë ata pre të manipulimit.
„Një qytetar i dezinformuar nuk është qytetar i lirë. Ai është i manipuluar dhe, siç shpjegojnë edhe raportet, ky manipulim vjen direkt nga armiqtë tanë, të cilët fatkeqësisht gjejnë argatët e tyre brenda nesh. Ne nuk kemi asnjë interes të kufizojmë mediat; përkundrazi, duam që ato të jenë më të forta, më të pavarura dhe më hulumtuese. Por pavarësia nuk mund të ndërtohet mbi financime që ushqejnë shpifjen“, theksoi ai.
Krahasimi me modelin e Bashkimit Evropian Kreu i qeverisë sqaroi se ligji i ri kërkon transparencë të plotë të pronësisë, ashtu siç ndodh me çdo biznes tjetër, për të mbrojtur gazetarët dhe mediat e ndershme.
„Ligji për KPM-në nuk është për të kontrolluar median, por për ta mbrojtur atë nga kapja. Censura është pengesë e lajmit të drejtë, jo e lajmeve të pavërteta me financime të dyshimta. Me të njëjtën logjikë ka vepruar edhe Bashkimi Evropian kur ka mbyllur transmetimin e portaleve dhe televizioneve ruse“, përfundoi Kurti.



