Kreu i Qeverisë së Kosovës dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, ka paralajmëruar se java e ardhshme do të jetë vendimtare për procesin e zgjedhjes së presidentit të ri, duke konfirmuar kontaktet me krerët e partive opozitare.
Gjatë hyrjes në seancën e Kuvendit, Kurti bëri të ditur se është në komunikim me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, si dhe me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, për të gjetur një zgjidhje rreth postit të kreut të shtetit.
“Do të ketë takime në javën e ardhshme”, deklaroi shkurtimisht Kurti, duke lënë të kuptohet se po intensifikohen përpjekjet për të shmangur një krizë të mundshme institucionale apo shkuarjen në zgjedhje të parakohshme.
Vendimi i Kushtetueses: 34 ditë afat shtesë Ky zhvillim vjen menjëherë pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me dekretin e presidentes Vjosa Osmani. Gjykata ka konstatuar se dekreti i mëparshëm nuk kishte pasur asnjë efekt juridik dhe, si rrjedhojë, i ka dhënë Kuvendit edhe 34 ditë afat shtesë për përmbylljen e procedurave për zgjedhjen e presidentit të ri.
Sipas arsyetimit të Kushtetueses, periudha mes konstituimit të Kuvendit dhe datës 4 mars nuk ka lënë hapësirë të mjaftueshme për konsumimin e afatit kushtetues prej 60 ditësh.
Gjykata ka rikonfirmuar rregullin se presidenti duhet të zgjidhet brenda një afati prej 60 ditësh dhe se ky proces duhet të fillojë e të përfundojë më së largu 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Ky vendim i hap rrugë një dritareje të re negociatash, ku tashmë partitë politike kanë kohën e nevojshme për të arritur një konsensus që siguron kuorumin e nevojshëm prej 80 votash në sallë.



