Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar nisjen e takimeve me partitë opozitare për të diskutuar çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.
I pyetur nga RTV21 lidhur me këtë temë, derisa po shkonte drejt zyrës së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në Kuvend, Kurti u përgjigj shkurtimisht: “Sigurisht”.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur ka kaluar mbi një javë që nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili përcaktoi se presidenti duhet të zgjidhet brenda një afati prej 34 ditësh. Megjithatë, deri më tani nuk është shënuar asnjë lëvizje konkrete drejt konsensusit politik.
Konsultimet e brendshme para ftesave zyrtare Kreu i ekzekutivit kishte paralajmëruar edhe ditë më parë gatishmërinë për t’u takuar me kryetarët e partive opozitare, por kishte theksuar se fillimisht i nevojiteshin konsultime të brendshme brenda koalicionit dhe partisë së tij.
“Më nevojiten konsultimet e brendshme”, kishte deklaruar Kurti, duke shtuar se deri në atë moment nuk kishte pasur kohën e mjaftueshme për t’i përmbyllur ato.
Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën plenare ku në rend dite janë ratifikimet e marrëveshjeve ndërkombëtare, por vëmendja kryesore mbetet te procesi i zgjedhjes së kreut të shtetit, pasi koha në dispozicion sipas aktgjykimit të Kushtetueses po ngushtohet dita-ditës.



