Nën temën globale “Të Drejta, Drejtësi, Veprim”, Agjencia për Barazi Gjinore ka shënuar 8 Marsin, ku protagonistja kryesore ishte Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Haxhiu deklaroi se statusi i gruas në shoqëri është “pasqyra më e ndershme” e demokracisë së një vendi, duke insistuar se asnjë e drejtë nuk ka ardhur si dhuratë, por si rezultat i rezistencës aktive.
Kryeparlamentarja pranoi hapur hendekun mes ligjeve moderne të Kosovës dhe realitetit të hidhur ku gratë ende përballen me dhunë, papunësi dhe mënjanim nga vendimmarrja.
Ajo u zotua për një kurs të ri: fuqizimin e mbikëqyrjes parlamentare për t’ua kujtuar institucioneve përgjegjësinë, duke marrë si shembull suksesin e zgjedhjeve të vitit 2021 ku gratë thyen kuotat gjinore me votë masive.



