Sot mbushen plot 18 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Akti më i lartë juridik i vendit u ratifikua më 9 prill 2008, vetëm pak muaj pas shpalljes së pavarësisë, dhe hyri në fuqi zyrtarisht më 15 qershor të po atij viti.
Me rastin e këtij përvjetori jubilar, Kryetarja e Kuvendit, njëherësh ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka uruar qytetarët, duke theksuar se kjo datë shënon momentin kur shtetësia e Kosovës u rrumbullakua në rrafshin ligjor.
Sipas saj, 9 prilli i vitit 2008 ishte dita kur shteti mori formën e tij të plotë juridike dhe politike, duke u rreshtuar krah shteteve demokratike me një kushtetutë moderne që garanton të drejtat e të gjithë qytetarëve.
“Përkushtimi ndaj Kushtetutës mbetet parakusht për stabilitet, zhvillim dhe konsolidim demokratik”, thuhet në mesazhin e publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit të Republikës së Kosovës në Facebook.
Haxhiu nënvizoi se mbrojtja e vlerave kushtetuese është detyrë e secilit institucion dhe qytetari, për të siguruar një shtet ku sundimi i ligjit është i pacënueshëm dhe ku liritë themelore respektohen pa dallim.



