Në kulmin e takimeve të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, Kirill Dmitriev – shef i fondit sovran rus RDIF dhe i dërguar i Kremlinit për çështje ekonomike – publikoi në rrjete sociale një “screenshoot” të një raportimi të Semafor me titull “Greenland is pushing Ukraine off the agenda”, duke sugjeruar se vëmendja perëndimore po rrëshqet larg luftës në Ukrainë.
Në postime të tjera, Dmitriev ironizoi Evropën me fraza si “Uniteti transatlantik ka përfunduar” dhe paralajmëroi që Evropa të mos e “provokojë ‘Daddyn’”, në kontekstin e përplasjes së re SHBA–Evropë rreth Greenlandës.
Në Davos, Presidenti Donald Trump këmbënguli se SHBA duhet ta marrë Greenlandën për arsye sigurie, duke e quajtur madje “një copë akulli”, por tha se nuk do të përdorë forcë ushtarake. Ai la të kuptohet se aleatët duhet të llogarisin pasojat nëse e refuzojnë kërkesën e tij.
Paralelisht, Trump ka kërcënuar me tarifa shtesë 10% që nga 1 shkurti për mallrat nga tetë vende evropiane, të cilat do të rriteshin në 25% më 1 qershor nëse nuk arrihet një marrëveshje për “blerjen” e Greenlandës—një lëvizje që ka rritur tensionet me aleatët evropianë.
Ndërkohë, në një tjetër zhvillim që ka ngjallur debat, Kremlini ka konfirmuar se Vladimir Putin ka marrë ftesë për t’iu bashkuar një “Board of Peace” të propozuar nga Trump për Gazën, duke thënë se po “sqarohen nuancat” e ofertës.
Trump ka thënë se do të takohet me Presidentin Volodymyr Zelensky në Davos dhe se palët janë “relativisht afër” një marrëveshjeje, por pa dhënë detaje konkrete për përmbajtjen e saj.



