Mbrëmjen e sotme, Alis do të përfaqësojë Shqipërinë në skenën e Eurovision Song Contest 2026 me këngën “Nân”, që sjell mesazh të fuqishëm dhe prekës mbi figurën e nënës.
Publiku shqiptar jashtë vendit mund të mbështesë Alis me kodin 13 duke votuar gjatë kohës kur televotimi të shpallet i hapur në transmetimin live të gjysmëfinales, ndërsa shqiptarët që jetojnë në vende jopjesëmarrëse mund të votojnë online përmes platformës zyrtare të Eurovisionit: esc.vote.
Kryeministri Edi Rama ftoi shqiptarët jashtë vendit të mbështesin Alis në garën e mbrëmjes së sotme.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama postoi ftesën për të votuar numrin 13, Alis në Eurovizion.
“Le të mbështesim artistin dhe përfaqësuesin tonë në Eurvision, Alis dhe ta bëjmë zërin shqiptar të dëgjohet në gjithë Europën e më gjerë”, shkroi Kryeministri Rama.
“Votoni 13 për Shqipërinë sonte”, ftoi Rama shqiptarët duke postuar edhe të gjitha kodet sipas shteteve dhe numrat e votimit, raporton atsh.
Votimi online përmes platformës esc.vote është hapur prej mesnatës dhe do të qëndrojë deri pak para nisjes së natës së gjysmëfinales së dytë. Ndërsa votimi me SMS me kodin përkatës të këngëtarit (Alis me kodin 13) hapet pas performimit të të gjithë këngëtarëve gjatë natës live të gjysmëfinales së dytë dhe do të qëndrojë i hapur për rreth 18 minuta.
Mbrëmja e sotme pritet me emocione nga shqiptarët për të parë performancën e artistit shqiptar në një prej skenave prestigjioze të muzikës evropiane me urimin që Alis t’ia dalë për në finale.



