Aktori i njohur shqiptar, Enver Petrovci, ka promovuar librin e tij të titulluar “Amanete zemre”. Promovimi i këtij libri është bërë në librarinë “Dukagjini” në Prishtinë, në prani të kolegëve, studentëve e artdashësve të shumtë të librit dhe skenës teatrore e filmike.
Përmes librit “Amanete zemre”, Petrovci shpërfaq përsiatjet e tija mbi përvojën jetësore, duke përmbledhur mendime dhe porosi, për aktorët, regjisorët, jetën, dashurinë etj.
Këtë ai e bën përmes dhjetë kapituj – temave të trajtuara në libër; si: aktorëve, jetës, dashurisë, gruas, mësuesit të aktorëve, studentit të aktrimit, regjisorit të teatrit, drejtorit të teatrit, teatrit, duke e përmbyllur me disa thënie personale.
Për librin folën aktori e regjisori Xhevat Limani, recensenti i librit, Nysret Simnica dhe aktori Naser Rafuna, ish-student i Petrovcit, të cilët thanë se libri “Amanete zemre” është i veçantë dhe me porosi universale.
Kujtojmë që Enver Petrovci është aktor dhe regjisor i njohur shqiptar, i cili ka ndërtuar karrierë shumë të suksesshme në teatër, sidomos në atë “Atelieja 212”, ku me rolet e luajtura u bë i njohur në mbarë ish-Jugosllavinë duke u vlerësuar si një nga aktorët me të famshëm të asaj kohe.
Ai, po ashtu, është njëri nga themeluesit dhe profesorët e parë të degës së Artit Dramatik pranë Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës. Ai vazhdon të jetë aktiv nëpër projekte të ndryshme.