spot_img
E diel, 28 Shtator, 2025
06:36
HomeOpinione“Analistët e Përjetshëm” dhe Lodra e Debatit Publik

“Analistët e Përjetshëm” dhe Lodra e Debatit Publik

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Hysen Beqa – Shkrimtar dhe njohës i zhvillimeve socio-politike

storm•/Opinione: Prej shumë vitesh, në ekranet shqiptare shfaqen të njëjtit “analistë”, duke marrë rolin e komentatorëve për çdo çështje, nga politika te kultura, nga feja te recetat e turshive. Shfaqen çdo natë, në çdo televizion të mundshëm, dhe pretendojnë se janë autoritete për gjithçka. Por a përputhen vërtet kompetencat e tyre me pretendimet që bëjnë?

Fillimisht, nuk mund të quhesh analist nëse mbështet hapur një parti apo ideologji dhe refuzon mendimet e kundërta. Në këtë rast, nuk je më analist, por militant politik. Dhe kjo, megjithëse legjitime në një shoqëri demokratike, nuk e justifikon përpjekjen për t’u paraqitur si komentues i paanshëm.

- Advertisement -

Problemi thelbësor qëndron në mungesën e përmbajtjes dhe qëllimit të analizave të tyre. Të flasësh për gjithçka pa u thelluar në asgjë është veçse një sharlatanizëm që, për fat të keq, dominon diskursin publik. “Gjithologët” e mediave tona kalojnë nga një temë në tjetrën – sot janë ekspertë për politikë, nesër për krizën klimatike, dhe pasnesër për recetat tradicionale të turshive. Një profil i tillë jo vetëm që i mungon serioziteti, por edhe mbyt çdo mundësi për dialog të mirëfilltë.

Televizionet shqiptare duket se nuk ofrojnë alternativa të tjera. Nuk është se publiku i adhuron “analistët” e përjetshëm, por kur nuk ka zgjedhje të tjera, ata detyrohen t’i ndjekin. Dhe këta “ekspertë të gjithçkaje”, në vend që të sjellin informacion të thelluar dhe të saktë, përfundojnë duke prodhuar një zhurmë boshe.

- Advertisement -

Veçanërisht gjatë fushatave zgjedhore, këta “analistë” ndahen në kampe politike, parashikojnë rezultate zgjedhjesh pa asnjë studim serioz dhe shpesh i kthejnë studiot televizive në arena propagandistike. Në fund, gjithmonë dikush “ja qëllon”, por vetëm sepse ka kaq pak skenarë të mundshëm.

Dhe kur vijnë festat, analistët shfaqen sërish për të na mësuar si duhet t’i festojmë, madje duke kaluar edhe në tema teologjike, ku sërish pretendojnë të jenë “ulema” të rinj. Të njëjtit zëvendësojnë edhe humoristët në skeçet e Vitit të Ri, sikur aftësitë e tyre të përfshijnë çdo formë argëtimi.

Në fund të fundit, televizioni shqiptar ka nevojë për një reformë të thellë, ku të promovohen ekspertë të vërtetë dhe të krijohen hapësira për mendje të reja. Sepse ndryshe, ne, shikuesit, do të mbetemi peng i të njëjtave fytyra, të njëjtave mendime, dhe të njëjtit zë monoton që pretendon të dijë gjithçka.

Apeli për këtë fundvit: Lejoni ekranin të frymojë. Jepini hapësirë dikujt tjetër, qoftë edhe një tjetër “gjitholog” – vetëm të mos jetë nga lista e përhershme. Ju lutemi, na kurseni nga një tjetër vit i mbushur me të njëjtat llomotitje!


Ky opinion nuk përmban qëndrime të storm•; të gjitha janë qëndrime personale të autorit!
ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat