Gjykata e Apelit të Posaçëm ashpërsoi masat e dënimit për ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe ish-deputetin socialist Alqi Bllako lidhur me aferën e inceneratorit të Elbasanit.
Treshja gjykuese e kryesuar nga Ilirjana Olldashi e cilësoi fajtor ish-ministrin Koka edhe për akuzën e shpërdorimit të detyrës kryer në bashkëpunim, vepër për të cilën kishte marrë pafajësi nga Gjykata e Posacme.
Përfundimisht Koka u dënua me 10 vite burgim, për korrupsion, pastrim parash e shpërdorim të detyrës, por për shkak të gjykimit të shkurtuar iu reduktua në 6 vite e 8 muaj.
Alqi Bllako, që në shkallën e parë kishte marrë pafajësi për shpërdorim detyre, u ngarkua me këtë akuzë dhe përfundimisht u dënua me 2 vjet e 8 muaj dhe 5 vite heqje e së drejtës për të ushtruar funksione publike. Për të pandehurit e tjerë masat e dënimit mbetën në fuqi.
Mirel Mërtiri e Klodian Zoto, që cilësohen nga SPAK si pronarët de fakto të inceneratorit të Tiranës, u dënuan përfundimisht me 6.8 vjet bujrgim, raporton News 24.
Stela Gugallja, administratore e inceneratorin e Elbasanit, partnerja e Mirel Mërtirit, me 4.8 vjet. Pëllumb Abeshi, ish-kryetar i Komisionit të Shpronësimit 2.8 vjet.
Bardhyl Cabiri me 2 vjet burgim. Jonida Zeqo me 2.8 vjet burg.
Serafin Papa u dënua me 1.4 vite burg, vendim që është shlyer tashmë.
Gjykata vendosi po ashtu të sekuestrojë dhe disa nga pasuritë e ish-ministrit Lefter Koka. Ish-zyrtari bashkë me Alqi Bllakon, Mirel Mërtirin e Klodian Zoton si dhe ish-zyrtarë të tjerë janë të pandehur edhe për inceneratorin e Fierit dhe Tiranës.