Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Mustafa, në emër të grupit parlamentar, ka adresuar kritika të ashpra ndaj Qeverisë lidhur me shtrenjtimin e derivateve, duke e cilësuar ekzekutivin si përfituesin kryesor të kësaj krize.
Nga foltorja e Kuvendit, Mustafa theksoi se Kosova po kalon në një valë të re të rritjes së çmimeve, e cila sipas tij nuk po vjen vetëm nga faktorët e jashtëm, por edhe si pasojë e drejtpërdrejtë e mosveprimit të Qeverisë.
“Po kalojmë në një valë të re të rritjes së çmimeve. Kjo rritje nuk po vjen vetëm nga jashtë, por edhe nga brenda si pasojë e mosveprimit të kësaj qeverie. Ngjashëm ka ndodhur edhe në vitin 2022, kur e latë inflacionin të shpërthejë lirshëm dhe qytetarët i latë të vetëm përballë shtrenjtimit”, deklaroi Mustafa.
“Shteti nuk është spektator, është përfitues” Mustafa u ndal te shifrat konkrete, duke vënë në dukje se çmimi i naftës po prek vlerat nga 1.80 deri në 2.00 euro për litër, gjë që për një nga vendet më të varfra në Evropë është e papërballueshme. Ai shpjegoi se ky shtrenjtim ka efekt zinxhir në koston e transportit, prodhimit dhe furnizimit me produkte bazë.
“Në këtë rritje zinxhirore, shteti nuk është vetëm spektator, por është edhe përfitues. Nga 1.80 euro që paguan qytetari për një litër naftë, rreth 60 centë janë taksa që i merr shteti. Sa herë që një qytetar furnizohet me karburant, ai paguan edhe taksat për buxhetin e shtetit”, potencoi deputeti i PDK-së.
Sipas tij, derisa familjet detyrohen të reduktojnë shpenzimet bazike dhe bizneset e bujqit po rëndohen financiarisht, Qeverisë po i rriten të hyrat buxhetore. Mustafa kërkoi që shteti të ndërhyjë urgjentisht për të lehtësuar barrën e qytetarëve përmes rishikimit të taksave në derivate.



