Mitrovicë, 3 Tetor 2025 – Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri, ka publikuar një fotografi që ka ngjallur interes të madh në opinionin politik lokal.
Në imazh, ai shihet së bashku me Endrit Thaçin, djalin e ish-presidentit Hashim Thaçi, dhe Klestor Veselin, djalin e ish-kryekuvendarit Kadri Veseli. Të dy këta emra mbartin një simbolikë të fortë politike dhe emocionale për strukturat dhe simpatizantët e PDK-së, për shkak të peshës familjare dhe trashëgimisë politike që përfaqësojnë.
Ky gjest i Tahirit interpretohet si një mesazh i qartë i unifikimit të bazës së PDK-së në Mitrovicë, duke treguar se kandidatura e tij gëzon përkrahjen e familjeve që konsiderohen gurthemel i partisë.
Përmes kësaj fotografie dhe komenteve shoqëruese, Tahiri duket se synon të forcojë idenë se PDK-ja në Mitrovicë po hyn në zgjedhjet e 12 tetorit me një bazë të konsoliduar dhe me mbështetje të gjerë brenda strukturave të saj tradicionale.



