
Skena politike e Kosovës ka hyrë në një fazë të re lodhjeje dhe fragmentimi, ku as pushteti dhe as opozita nuk po arrijnë të prodhojnë energjinë politike që kërkon shumica e qytetarëve.
Ajo që mungon nuk është numri i partive, as retorika e ashpër; ajo që mungon është figura unifikuese, profili që depërton tek votuesit gri, rikthen besimin në institucione dhe ndërton një bosht të ri politik përtej lodhjes shumëvjeçare.
Në këtë zbrazëti shfaqet Arian Tahiri, një figurë që, nëse do të mbështetej nga e gjithë opozita e deridjeshme dhe një pjesë e madhe e votuesve të papërcaktuar, mund të bëhej kandidati i parë konsensual, për nivelin qendror, me potencial real për fitore kombëtare, që nga dorëheqja e ish-Presidentit Thaçi dhe e koalicionit të Kadri Veselit që e kishte zgjedhur për kryeministër Ramush Haradinajn.
Një rezultat lokal që prodhoi sinjal kombëtar
Performanca e Tahirit në Mitrovicë pati një veçori që e dalloi nga çdo kandidat tjetër i PDK-së: ai nuk u perceptua si produkt i makinerisë së vjetër, por si figurë e re, e pjekjes graduale, me komunikim të qetë, pa agresivitet dhe me profil të pastër në raport me opinionin.
Në një terren politikisht të ndërlikuar si Mitrovica, ku ndërhyrja e pushtetit dhe aparatit shtetëror është më e lartë sesa kudo, vota që mori Tahiri nuk ishte thjesht rezultat lokal. Ajo ishte sinjal politik: prova se një profil i ri mund të depërtojë përballë makinerisë më të koordinuar të shtetit. Kjo është një provë që pak politikanë e kanë kaluar.
Pse opozita ka nevojë për një figurë konsensuale?
Opozita është e fragmentuar në dy dimensione: fragmentim programor, fragmentim personal, ku shpesh liderët e opozitës luftojnë më shumë mes vete sesa pushtetin.
Në këtë realitet, një parti e vetme e opozitës e ka pothuajse të pamundur të prodhojë fitore të pastër kundër LVV-së.
Arian Tahiri ofron një mundësi të rrallë, që potencialisht nuk prodhon refuzim nga LDK, nuk irriton AAK-në, dhe i jep oksigjen të ri PDK-së pa e cenuar identitetin e saj.
Me fjalë të tjera, ai është i vetmi profil opozitar potencialisht i pranueshëm për të gjitha krahët, pa i rrezikuar vijat e tyre politike.
Ekuacioni që mund ta ndryshojë rezultatin kombëtar
Zgjedhjet në Kosovë nuk fitohen vetëm me bazën partiake. Fitorja ndërtohet mbi tre shtresa:
Vota e bërthamës, të cilën Tahiri e sjell natyrshëm nga PDK.
Vota e partnerëve opozitarë, të cilët nuk e shohin si kërcënim.
Vota gri, segmenti më vendimtar (25–30% e mandateve), i cili kërkon profil të pa-kompromentuar, normal, të qetë, larg konfliktualitetit.
Arian Tahiri është tipologjia e një “normaliteti të ri”, as rikthim në të vjetrën, as vazhdim i polarizimit aktual. Ky është ekuacioni i fitores që opozita nuk ka arritur ta krijojë prej shumë vitesh.
Pse pushteti do ta kishte të pamundur ta sulmonte?
LVV ushqehet politikisht nga polarizimi: narrativa e tyre është “ne kundër të vjetrës”.
Tahiri nuk është “i vjetri”.
Ai nuk ka ngarkesa nga e kaluara, nuk ka konflikte të trashëguara, nuk identifikohet me asnjërën prej skajeve të polarizimit. Me një figurë të tillë, LVV humb terrenin ku është më e fortë: s’ka armik politik, s’ka alibi morale, s’ka metaforë për konflikt.
Pra, përballë Tahirit, pushteti s’ka ku të kapet, as ideologjikisht, as personalisht.
Një formulë që Kosova nuk e ka provuar kurrë
Ka momente të rralla kur një figurë që nuk ishte menduar fillimisht për nivel qendror, papritur shfaqet si zgjidhja e vetme kombëtare. Arian Tahiri është një nga këto raste.
Nëse opozita dëshiron momentum real për ta sfiduar qeverinë aktuale, duhet të dalë nga logjika e liderëve të konsumuar dhe të ndërtojë një projekt të përbashkët mbi një figurë të re, të balancuar dhe të pa-kompromentuar.
Ky model nuk është vetëm strategji zgjedhore. Ai është rruga e vetme për të rikthyer normalitetin institucional dhe politik.
Për korrektësi në opinionin tim…
Kjo nuk nënkupton që PDK të mos ketë garë të brendshme për kryetar këtë të hënë nëntori. Por PDK historikisht është thirrur të marrë përgjegjësi në momente të tilla, jo vetëm për interesin e saj, por edhe për Kosovën. Dhe këtë përgjegjësi ia ka borxh edhe kësaj here.



