Forcat indiane kanë sulmuar Pakistanin me raketa në tri lokacione, tha zëdhënësi ushtarak i Pakistanit, i cituar nga televizioni shtetëror i vendit.
Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, ka gjithashtu raportime për granatime intensive dhe shpërthime të forta në zonat kufitare të shtetit të Kashmirit të administruar nga Pakistani.
Qeveria indiane tha se forcat e saj kanë nisur “Operacionin Sindoor”, “duke goditur infrastrukturën terroriste” në Pakistan dhe Kashmirin e administruar nga Pakistani, “nga ku janë planifikuar dhe drejtuar sulmet terroriste kundër Indisë”.
Në një deklaratë, qeveria indiane deklaroi se “janë shënjestruar nëntë vende”.
“Veprimet tona kanë qenë të fokusuara, të matura dhe jo-përshkallëzuese në natyrë. Asnjë strukturë ushtarake pakistaneze nuk është shënjestruar. India ka treguar përmbajtje të konsiderueshme në përzgjedhjen e objektivave dhe metodën e ekzekutimit”.
Deklarata shton se sulmi u urdhërua pas sulmit vdekjeprurës militant të muajit të kaluar ndaj turistëve në Kashmirin e administruar nga India.
Ndaj këtij sulmi ka reaguar menjëherë Pakistani, i cili është zotuar se do të përgjigjet ndaj ‘sulmit frikacak’
Një zëdhënës i ushtrisë pakistaneze tha se Islamabadi “do t’i përgjigjet këtij [sulmi] në kohën dhe vendin që do të zgjedhë vetë”.
“Të gjithë avionët tanë të forcave ajrore janë në ajër. Ky është një sulm i turpshëm dhe frikacak që u krye nga brenda hapësirës ajrore të Indisë”, shton zëdhënësi.
Drejtori i përgjithshëm i krahut të marrëdhënieve me publikun ushtarak të Pakistanit, Marrëdhëniet me Publikun Ndër-Shërbim (ISPR), i tha kanalit të lajmeve pakistaneze Geo TV se tri lokacione janë goditur nga raketat indiane; Muzaffarabad dhe Kotli në Kashmirin e administruar nga Pakistani dhe Bahwalpur.



