Policia e Kosovës ka publikuar raportin 24-orësh të ngjarjeve dhe incidenteve në nivel vendi, ku dominojnë rastet që lidhen me narkotikë, vjedhje të rënda, dhunë në familje dhe incidente kufitare.
Një nga rastet më serioze është raportuar në Graçanicë, ku njësiti antidrogë i Policisë së Kosovës ka ndaluar një veturë me targa vendore, në të cilën ndodheshin dy të dyshuar meshkuj kosovarë.
Sipas policisë, gjatë ndalimit pasagjeri ka hedhur jashtë automjetit një qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë prej 81.8 gramësh. Ndërkohë, gjatë kontrollit fizik të vozitësit janë gjetur edhe 0.2 gramë kokainë.
Pas arrestimit të të dyshuarve, njësitet policore kanë kryer bastisje në tri lokacione, ku është sekuestruar edhe një sasi e vogël marihuane, një telefon dhe një pajisje elektronike DV. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
Një tjetër arrestim për posedim të narkotikëve është bërë në Fushë Kosovë, ku një person është kapur me 5.36 gramë kokainë. Policia bëri të ditur se i njëjti kishte edhe urdhër-arrest aktiv për një rast “Kanosje” dhe është dërguar në vuajtje të dënimit.
Ndërkaq, në Skenderaj është arrestuar një person pasi gjatë kontrollit policor iu gjetën 0.4 gramë kokainë dhe një thikë. Pas intervistimit ai është liruar në procedurë të rregullt.
Hetime për vdekje në Prishtinë
Në Prishtinë, një person mashkull është gjetur pa shenja jete. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore dhe mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar për hetime dhe autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje shtesë mbi rrethanat e vdekjes.
Vjedhje të rënda në Prishtinë, Lipjan dhe Pejë
Rastet e vjedhjeve të rënda kanë vazhduar të raportohen në disa rajone të Kosovës.
Në Prishtinë, persona të panjohur kanë vjedhur një motoçikletë dhe një laptop që ndodhej në bagazhin e saj.
Ndërkohë në Lipjan, hajnat kanë hyrë me forcë në një shtëpi private, ku përveç dëmtimeve materiale kanë vjedhur edhe një armë me dy karikatorë dhe fishekë. Pronari ka raportuar po ashtu se i është dëmtuar xhami i një veture me targa të huaja.
Edhe në Pejë është raportuar një rast i ngjashëm, ku persona të panjohur kanë depërtuar në një shtëpi dhe kanë vjedhur një pushkë gjuetie me leje.
Policia ka nisur hetimet për të gjitha rastet.
Dhunë në familje dhe kërcënime me publikim fotosh intime
Në rajonin e Gjakovës janë raportuar dy raste të dhunës në familje.
Në Malishevë, një grua ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti dhe dy vëllezërit e tij. Të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor dhe më pas janë liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkaq në Gjakovë, një grua me shtetësi të huaj ka raportuar se bashkëshorti i saj e ka kërcënuar me publikimin e fotografive dhe videove intime në rrjetet sociale. I dyshuari nuk është lokalizuar ende dhe rasti po hetohet.
Sulm ndaj policëve në Lipjan
Dy zyrtarë policorë janë penguar dhe kanosur gjatë shqiptimit të një tikete për kundërvajtje në Lipjan.
Sipas raportit policor, dy persona të dyshuar kanë ndërhyrë ndaj zyrtarëve gjatë kryerjes së detyrës. Pas intervistimit, ata janë liruar në procedurë të rregullt.
Person i zhdukur në Ferizaj
Një rast i personit të zhdukur është raportuar në Ferizaj, ku një qytetar ka njoftuar policinë se djali i tij është larguar nga shtëpia dhe nuk është kthyer më.
Policia ka nisur hetimet dhe po punon për lokalizimin e tij.
Incidente kufitare dhe kontrabandim kafshësh
Policia Kufitare ka raportuar disa raste të kontrabandimit dhe transportit ilegal të kafshëve.
Në zonën e Ponashecit, dy shtetas të Shqipërisë janë ndaluar teksa po tentonin të kalonin pesë viça nga Kosova drejt Shqipërisë në mënyrë ilegale. Kafshët janë konfiskuar, ndërsa të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.
Në Bjeshkët e Istogut është ndaluar një person që transportonte 27 qingja pa dokumentacion përkatës. Automjeti është konfiskuar, ndërsa rasti po hetohet.
Po ashtu, në Kllokot është ndaluar një kamion me dy kuaj pa dokumentacion, ndërsa në Izvorë të Zubin Potokut policia ka ndaluar dy shtetas të huaj që dyshohet se kishin hyrë ilegalisht nga Serbia në Kosovë. Ata janë gjobitur nga gjykata për kundërvajtje dhe më pas janë liruar.
Aksidente trafiku në Prizren dhe Vushtrri
Dy aksidente trafiku me dëme materiale janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit.
Në rrugën Prizren–Reçan, një automjet ka humbur kontrollin dhe ka goditur anësoret e rrugës, ndërsa në Vushtrri janë përfshirë dy automjete në një aksident pa persona të lënduar.
Policia ka apeluar për kujdes të shtuar në komunikacion dhe respektim të rregullave të trafikut.



