Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy persona të dyshuar për vepra penale të korrupsionit në Prishtinë.
Sipas njoftimit të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, më 21 gusht 2025, në koordinim me Prokurorinë Themelore të Prishtinës, janë arrestuar dy të dyshuarit F.F. (1985) dhe M.S. (1987).
Ata dyshohet se kanë pranuar ryshfet në vlerë prej 850 euro për kandidat, në këmbim të kalimit të testit teorik për patentë shofer.
Hetimet për këtë rast kishin filluar muaj më parë, me autorizim të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, duke aplikuar masa të posaçme hetimore për sigurimin e provave.
Gjatë veprimeve të sotme janë sekuestruar 850 euro, dy telefona celularë dhe dokumentacion/dosja e kandidatit, të cilat do të përdoren në procedurën e mëtejme hetimore.
Të dyshuarit janë shoqëruar në ambientet e DHKEK-së, ku në prani të avokatëve mbrojtës janë intervistuar. Me vendim të prokurorit, ata janë dërguar në mbajtje për 48 orë.