Ambasada e Shqipërisë në Pekin hapi pak ditë më parë dyert për një event kushtuar artit pamor dhe shkëmbimeve kulturore mes Shqipërisë, Italisë dhe Kinës.
Në prani të ambasadorit te Shqiperise në Kinë, Riza Poda, Ambasadorit të Italisë, përfaqësuesve të trupit diplomatik, dashamirësve të artit dhe artistëve pjesëmarrës, u inaugurua një ekspozitë arti pamor, e cila solli në qendër krijimtarinë bashkëkohore shqiptare, italiane, kineze dhe dialogun artistik mes vendeve.
Në fjalën e tij, ambasadori shqiptar Poda theksoi rëndësinë e vijimësisë së këtyre nismave për të ndërtuar ura mirëkuptimi dhe respekti të ndërsjellë.
Ndërkohë artistët pjesëmarrës ndanë për publikun emocionet duke folur për procesin krijues dhe kuptimin e veprave të tyre në kontekstin ndërkulturor të kësaj ekspozite.
Eventi u pasurua nga interpretimi i dy instrumentisteve virtuze shqiptare, Kristina Petrollari Dorina Laro, të cilat sollën tingujt e muzikës tradicionale dhe klasike shqiptare për audiencën ndërkombëtare.
Aktiviteti u vlerësua si një shembull i shkëlqyer i diplomacisë kulturore, duke forcuar më tej lidhjet mes popujve përmes artit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, raporton BalkanWeb.
Ceremonia shënoi hapjen zyrtare të ekspozitës “Endless River”, me pjesëmarrjen e artistëve nga Shqipëria, Italia dhe emra të tjerë të artit bashkëkohor ndërkombëtar. Ekspozita do të qëndrojë e hapur në ambientet e Ambasadës së Shqipërisë në Kinë deri më 27 tetor.