Bashkia e Korçës përkujtoi sot 100-vjetorin e lindjes së Violeta Manushit, një nga figurat më të shquara të skenës dhe filmit shqiptar, e njohur për interpretimet e saj të paharrueshme që kanë shënjuar historinë e teatrit dhe kinemasë shqiptare.
Violeta Manushi lindi në Korçë në vitin 1926 dhe filloi karrierën e saj artistike në skenën e teatrit, duke u shndërruar në një prej ikonave të artit dramatik shqiptar. Ajo interpretoi role të shumta në teatër dhe filma, duke u vlerësuar për talentin e jashtëzakonshëm, profesionalizmin dhe aftësinë për të sjellë emocione të thella në publik. Karriera e saj përfshinte bashkëpunime me regjisorë të shquar dhe interpretime në shfaqje që janë pjesë e repertorit klasik të teatrit shqiptar.
Në kuadër të këtij përvjetori të rëndësishëm, në teatrin “Andon Z. Çajupi” në Korçë, u organizua një mbrëmje e veçantë homazhi, ku u shfaq dokumentari “Brezi i Artë – Violeta Manushi”, me regji dhe skenar të Merita Çoçolit.
Premiera e dokumentarit u ndoq nga artdashës dhe spektatorë të shumtë që kishin mbushur sallën dhe përjetuan emocione të veçanta përmes dëshmive nga aktorët që kanë interpretuar në skenë dhe film me Manushin, ndërsa sollën kujtime të paharrueshme duke vlerësuar kontributin e saj të jashtëzakonshëm në artin shqiptar, raporton atsh.
Kryetari i bashkisë Korçë Sotiraq Filo, theksoi rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe artistike të vendit, duke nderuar një nga figurat më të ndritura të skenës dhe filmit shqiptar dhe duke frymëzuar brezat e rinj të artistëve për të ndjekur rrugën e saj të jashtëzakonshme në art.
Ky përvjetor i 100-vjetorit është një mundësi për publikun shqiptar të rikthehet tek kujtimet dhe emocionet që Violeta Manushi ka lënë në skenë dhe ekran, duke vlerësuar përjetësinë e talentit të saj.



