Drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë në QKUK, dr. Shpejtim Shurdhiqi, ka thënë për Storm.rks se nuk mund të ofrohet trajtim i nevojshëm brenda kapaciteteve aktuale të QKUK-së për babain e ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati.
Megjithatë, sipas një burimi të brendshëm të klinikës, pacienti dyshohet të jetë diagnostikuar me një diagnozë që, të paktën në letër, realizohet edhe brenda QKUK-së apo në institucione të avancuara private në Kosovë.
“Ajo diagnozë nuk kryhet në Kosovë dhe trajtohet jashtë vendit. Unë nuk kam thënë se mbulohet nga Fondi e as diagnozën, veçse ajo diagnozë nuk kryhet në Kosovë dhe trajtohet jashtë vendit”, ka thënë shkurt Shurdhiqi.
Vendimi për të kërkuar trajtim jashtë vendit i një zyrtari të rangut të lartë, që për katër vite ka drejtuar financat e shtetit, ngre pikëpyetje të thella mbi gjendjen reale të sistemit publik shëndetësor dhe mbi sinqeritetin e qeverisë në prezantimin e sukseseve në këtë fushë.
Kjo praktikë shpeshherë është kritikuar nga shoqëria civile si jo e barabartë, pasi për qytetarët e zakonshëm, qasja në këtë fond është e ngadaltë dhe me kritere të rrepta.
Edhe pse Qeveria e Kosovës në vazhdimësi promovon investimet në sektorin e shëndetësisë si një prej sukseseve kyçe të mandatit të saj, veprimet e ish-ministrit të Financave, Hekuran Murati, hedhin dyshime mbi besimin real që zyrtarët e lartë të shtetit kanë ndaj institucioneve publike shëndetësore të vendit.



