Akademia e Shkencave e Shqipërisë (ASHSH) u pranua anëtare nderi e Komunitetit Ndërkombëtar të Akademive – Koinon.
Koinon është një federatë e përbërë nga akademi kombëtare e ndërkombëtare nga më shumë se 60 vende në mbarë botën, e cila punon në fushën e Shkencave Humane dhe Sociale.
Bordi drejtues i Komunitetit Ndërkombëtar të Akademive (Koinon) miratoi unanimisht aplikimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për t’u bërë anëtare nderi e saj.
Në letrën zyrtare të prof. Christos Zerefos, sekretar i përgjithshëm i Akademisë së Athinës dhe president i Bordit të Drejtorëve të Koinon-it drejtuar Kryesisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, vlerësohet aplikimi i suksesshëm dhe pranimi i ASHSH-së në Koinon. Në letrën e tij shprehet besimi për bashkëpunimin mes institucioneve në vitet në vijim.
Komuniteti Ndërkombëtar i Akademive është një organizatë ndërkombëtare që bashkon akademi shkencash nga vende të ndryshme, me qëllim që të nxitet bashkëpunimi akademik dhe shkencor.
Unioni dëshiron të krijojë një bashkëpunim ndërkombëtar midis akademive anëtare të tij, duke u ofruar atyre një shans për t’u takuar dhe punuar së bashku në projekte afatmesme dhe afatgjata dhe duke u mundësuar atyre të marrin pjesë në lëvizjen e madhe kombëtare dhe ndërkombëtare të kërkimit shkencor.
Qëllimi i tij është të inkurajojë bashkëpunimin në avancimin e studimeve përmes kërkimeve bashkëpunuese dhe publikimeve të përbashkëta në ato degë të shkencave humane dhe shoqërore të promovuara nga Akademitë dhe Institucionet e përfaqësuara në Koinon: filologji, arkeologji, histori, shkenca morale dhe shkenca politike. /atsh