Ish-kryeministri i Kosovës dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar pas rezultatit të dobët të LDK-së në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025, duke bërë thirrje për unitet, reflektim dhe respektim të procedurave statutare në rast të ndryshimeve në lidership.
Hoti ka theksuar se “statuti i LDK-së është i qartë” dhe se, në rast dorëheqjeje të kryetarit, Kuvendi i LDK-së thirret për t’u njoftuar zyrtarisht për dorëheqjen dhe më pas zgjedh kryetarin e ri. Sipas tij, çdo devijim nga kjo procedurë do të ishte përpjekje për “shtyrje, relativizim ose deformim” të përgjegjësisë politike të lidershipit.
Ai ka kujtuar se standardi i dorëheqjes pas rezultatit të dobët zgjedhor është vendosur në vitin 2021 dhe, sipas Hotit, ky standard është promovuar vetë nga kryetari aktual i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Për këtë arsye, Hoti thotë se shmangia e këtij standardi sot do të ishte në kundërshtim me parimet e shpallura nga lidershipi aktual.
Në reagimin e tij, Hoti vlerëson se pas rezultatit të 28 dhjetorit “LDK-së i nevojitet lidership i ri” dhe më pas riorganizim në të gjitha nivelet përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës, duke theksuar se besimi i qytetarëve është dëmtuar dhe nuk rikthehet pa “akt të qartë përgjegjësie” dhe pa reformim.
Hoti ka paralajmëruar se nëse lidershipi nuk merr përgjegjësinë dhe nuk hap rrugë për reformim të thellë, gjithëpërfshirës dhe statutar, atëherë do të pasojë dorëheqja e tij nga organet drejtuese të LDK-së, duke e cilësuar këtë si qëndrim parimor në mbrojtje të statutit dhe identitetit politik të partisë.
Në fund, ai u ka bërë thirrje strukturave të LDK-së – Kryesisë, Këshillit të Përgjithshëm, kryetarëve të degëve dhe delegatëve të Kuvendit – që të sigurojnë një proces të rregullt, transparent dhe statutar për zgjedhjen e lidershipit të ri.



