Partitë politike në Kosovë kanë afat deri më 28 prill për të arritur një marrëveshje përfundimtare për zgjedhjen e presidentit të ri, në të kundërt, vendi do të detyrohet të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Lidhur me këtë situatë, opinionisti Avni Arifi ka deklaruar se e gjithë ecuria e procesit varet nga vullneti politik i shumicës parlamentare, duke vënë në dukje rolin vendimtar të kryeministrit Albin Kurti. Sipas Arifit, nëse ekziston vullneti, numrat në Kuvend lejojnë edhe skenarë të tjerë përtej emrave të përfolur deri më tani.
„E vërteta është se nëse Kurti dëshiron që Lumir Abdixhiku të bëhet president, votat i ka. Nëse konsiderojnë se Lumir Abdixhiku është zgjedhje më e mirë se Vjosa Osmani dhe i shërben interesave të Vetëvendosjes më shumë se Vjosa Osmani, atëherë demokracia ndodh”, u shpreh Arifi.
Sipas opinionistit, llogaritë politike brenda Lëvizjes Vetëvendosje do të përcaktojnë nëse vendi do të ketë një stabilitet institucional apo do të hyjë në një cikël të ri zgjedhor. Afati i 28 prillit shihet si pika kritike ku partitë duhet të harmonizojnë qëndrimet e tyre për të shmangur ngërçin kushtetues.



