spot_img
E mërkurë, 11 Shkurt, 2026
01:05
HomeKulturëAzem Shkreli, poeti i personifikimit të fjalës-figurë

Azem Shkreli, poeti i personifikimit të fjalës-figurë

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

“Për kulturën e një populli, jo vetëm për kulturën, koha më e ligë është koha e mediokërve”, janë fjalët e Azem Shkrelit (1938-1997) – poet, prozator e kritik letrar, ish-kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Kosovë dhe themelues e drejtues i organizatës “Kosovafilmi”.

Azem Shkreli lindi më 10 shkurt të vitit 1938 në Shkrel të Rugovës. Fëmijëria e tij e hershme e kaloi me gjyshen, pasi e ëma i kishte ndërruar jetë në vitin 1940, kur Azemi ishte vetëm dy vjeç. Pas përfundimit të shkollimit fillor në fshatin Nakël, shkollimin e mesëm e vazhdoi në Prishtinë. Ai i përfundoi studimet në vitin 1965 në Fakultetin e Filozofisë në degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe.

- Advertisement -

Si student, Azemi filloi të shkruante për gazetën ditore Rilindja dhe të shërbente si sekretar në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës. Nga viti 1960-1975 ai ishte drejtor i Teatrit Popullor Krahinor në Prishtinë ndërsa më 1 shtator 1973 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës në ndërkohë që ishte edhe anëtar ekzekutiv i Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë. Ka drejtuar “Kosovafilmin” nga 1975 deri në vitin 1991, kur edhe u mbyll ky institucion me mbylljen e administratës publike në Kosovë. Ai vuri themelet e para të bashkëpunimit të dramës në gjuhën shqipe mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Në vitin 1960 shkroi librin e tij të parë me poezi “Bulëzat”, duke vazhduar më pas me veprat si “Engjujt e rrugëve”, “Karvani i bardhë”, “E di një fjalë prej guri”, “Sytë e Evës” etj. Ai u ngulit në kujtesën e lexuesit të Kosovës si poeti i personifikimit të fjalës-figurë në poezinë e tij, e cila merrte trajtat e qenies së mohuar dhe të ndaluar nga regjimi.

- Advertisement -

Poezitë e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja. Shfaqja e Azem Shkrelit si poet përveçse përputhej me ardhjen e talentit të fuqishëm, shënonte njëkohësisht kthesën e parë drejt hapjes dhe modernizimit të poezisë shqipe të Pasluftës.

Shkreli u ngjit natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqiptare dhe këtë vend ai e konsolidoi dhe e përforcoi nga njëra vepër poetike në tjetrën, deri në atë të fundit, që e la dorëshkrim “Zogj dhe gurë”, botuar më 1997.

Ndërroi jetë më 24 maj të vitit 1997 në aeroportin e Prishtinës, ku sapo kishte zbritur nga fluturimi nga Gjermania.

NË VEND TË PËRSHËNDETJES

– Fragment –

Mos u kthe pas.

Mos i harro sytë e përlotur në shtekballin tim.

Mos thuaj lamtumirë.

Asgjë mos thuaj.

Merri me vete gjurmët nëpër të cilat erdhe

një natë më e përvuajtur se frika

dhe hyre në mua.

Shko dhe bëhu fjalë e mbrame n’gojën time.

Bëhu shkrepëtirë e fikur n’ylberin e shkrimit tim.

Bëhu çdo gjë pos Meje e Teje

dhe asaj që e quajtëm Ne

kur i zinim yjet si fluturat e ua ngjisnim nga një emër mos ta harrojmë emrin tonë…

KANGË RRUGE

Sonte kam dal me shëtit nëpër syt’ e tu,

gjethet e stinët me i përtri-

vetëm edhe sonte.

E nëse kam me humbë në rrugicën e vetullave harkue-

mos i fik dritat e shikimeve shituese,

se fikën yjt e gëzimeve të kësaj nate.

Sonte kam dal me shëtit nëpër syt’e tu,

fushat e dëshirave gjelbëroshe me i gjesditë tanë natën-

vetëm edhe sonte.

E nëse ke me kalue bulevardeve të krahnorit tim-

mos ik, se kam me t’zanë

langojt e harbuem t’gjakimit!

Në flakën e tyne me ndezë edhe një fije shprese-

vetëm edhe sonte!

Sonte kam dal me shëtit nëpër syt’ e tu.

spot_img
ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat