Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë për ndarjen e pagës së 13-të vetëm për punëtorët e sektorit publik, duke e cilësuar këtë si një akt diskriminues ndaj punëtorëve të sektorit privat.
Ai kërkon që vendimi të rishikohet dhe të përfshihen të gjithë punëtorët, duke argumentuar se kontribuojnë në të njëjtin buxhet të shtetit.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, e ka cilësuar si diskriminues vendimin e Qeverisë për ndarjen e pagës së 13-të për punëtorët e sektorit publik. Sipas tij, vendimi duhet të korrigjohet, pasi, siç ka thënë, duhet të përfshihen edhe punëtorët e sektorit privat.
“Ne kemi thënë se jemi diku mbi 200 mijë që ndajmë mjete për buxhetin e Kosovës dhe jemi ata që prodhojmë, duke mbuluar pjesën më të madhe të buxhetit me paratë tona. Në anën tjetër, nëse ti ndan mjete shumë më shumë sesa sektori publik, kjo është një formë diskriminimi që mund ta bëjë vetëm një qeveri – po them në Kosovë, sepse diku tjetër nuk mund ta bëjnë. Punëtorët e sektorit privat aktualisht janë me paga shumë më të ulëta dhe me një gjendje sociale shumë më të rëndë”, ka thënë Azemi për RTKlive.
Azemi ka theksuar se punëtorët do të duhej të ishin prioritet i qeverisë.
“Në vend që ata të jenë prioritet, qeveria ka vepruar e kundërta, sepse ne jemi ata punëtorë që prodhojmë, përderisa punëtorët e sektorit publik janë ata që shpenzojnë. Dhe mos të kemi ironi: ne i gëzohemi pagës së 13-të për këta punëtorë, por kemi presione të mëdha nga punëtorët e sektorit privat: ‘pse ata marrin dhe ne jo?’ Domethënë, çfarë na dallon neve nga punëtorët e sektorit publik?”, ka shtuar ai.
Azemi e cilëson diskriminim mospërfshirjen e punëtorëve dhe thekson se ky nuk është i pari rast i këtij lloji. Ai ka përmendur ankesat e punëtorëve për mospërfshirjen në pagën e 13-të, duke përfshirë punëtorët e sigurimit fizik dhe të mirëmbajtjes në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe në Universitetin e Prishtinës.



