Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se pas dështimit të 15-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, është Lëvizja Vetëvendosje ajo që duhet të ndryshojë qëndrimet e saj.
“As LVV dhe koalicioni i tyre nuk i kanë votat dhe ne e kemi pranuar me sinqeritet se as partitë e djeshme opozitare nuk i kanë numrat. Për të ecur para dhe për të pasur vullnet për ç’bllokim kjo është alternative që ne e kemi në tavolinë. Shpresojmë që partitë të jenë prezente në takimin e thirrur nga presidentja dhe në qoftë se janë kundër propozimit tonë, janë ata që duhet të lëvizin”, ka thënë ajo.
Bajrami ka thënë se LVV i ka edhe 13 parti të tjera politike parlamentare, të cilave nuk u ka bërë ofertë për bashkëpunim, përveç LDK-së.
Ajo ka përmendur se VV ka edhe kandidatë të tjerë që mund të propozojnë, teksa disa parti politike janë deklaruar se emra të tjerë do t’i votonin si kryesues të Kuvendit të Kosovës.



