BE reagon ndaj zhvillimeve të fundit në Kosovë: “Ndërhyrjet e njëanshme rrezikojnë tensione dhe dëmtojnë imazhin ndërkombëtar”
Prishtinë, 16 maj 2025 – Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim serioz lidhur me operacionet e fundit të Policisë së Kosovës dhe mbylljen e disa shërbimeve publike në veri të vendit, duke theksuar se veprime të tilla rrezikojnë të përshkallëzojnë tensionet dhe të ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të komuniteteve lokale.
Në një deklaratë të lëshuar nga zëdhënësi i BE-së, thuhet se veçanërisht shqetësuese janë aksionet kundër kompanisë “Vodovod Ibar” në Mitrovicën e Veriut, si dhe impiantit të furnizimit me ujë dhe ndërmarrjes publike komunale në Zubin Potok, të cilat ofrojnë shërbime bazë për qytetarët në këtë pjesë të Kosovës.
“Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara minojnë përpjekjet për ndërtimin e besimit ndërmjet komuniteteve,” thuhet në deklaratë.
Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje kryeministrit në largim, Albin Kurti, dhe autoriteteve të Kosovës që të ndalojnë menjëherë mbylljen e këtyre shërbimeve, të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin çdo veprim që mund të çojë në përshkallëzim të situatës.
Po ashtu, BE-ja ka bërë thirrje që Kosova dhe Serbia të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, përfshirë Aneksin e Zbatimit dhe marrëveshjet e tjera të arritura deri më tani. Pjesë e kësaj është edhe themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Normalizimi i marrëdhënieve mbetet një kusht thelbësor për rrugën evropiane të të dyja palëve,” përfundon deklarata.