spot_img
E mërkurë, 18 Shkurt, 2026
23:15
HomeKosovaBE: Statusi i institucioneve arsimore dhe shëndetësore serbe në Kosovë të zgjidhet...

BE: Statusi i institucioneve arsimore dhe shëndetësore serbe në Kosovë të zgjidhet në dialogun e Brukselit

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Statusi i strukturave dhe shërbimeve shëndetësore dhe arsimore që Serbia i mbështet në Kosovë do të zgjidhet në kuadër të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, në përputhje me marrëveshjet e arritura dhe ligjet në fuqi të Kosovës, thuhet në përgjigjen e një zëdhënësi të Bashkimit Evropian për Radion Evropa e Lirë.

“Kryeministri Kosovës, Albin Kurti, është zotuar se do të trajtojë integrimin e strukturave shëndetësore dhe arsimore që mbështeten nga Serbia, në konsultim me serbët e Kosovës dhe BE-në, veçanërisht me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, tha zëdhënësi.

- Advertisement -

Institucionet shëndetësore dhe arsimore në mjediset me shumicë serbe në Kosovë funksionojnë në bazë të sistemit të Serbisë dhe janë pothuajse të vetmet që autoritetet kosovare nuk i kanë mbyllur. Që nga fillimi i këtij viti është aktualizuar çështja e integrimit të këtyre institucioneve në sistemin kosovar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 16 janar njoftoi se procesi i integrimit të shëndetësisë dhe arsimit serb do të zhvillohet në koordinim me Bashkimi Evropian, duke theksuar se do të merren parasysh edhe shqetësimet e komuniteteve joshumicë.

- Advertisement -

Megjithatë, nuk është saktësuar se cilat modele integrimi po shqyrtohen dhe nëse ky proces do të zhvillohet në kuadër të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, siç insiston Beogradi. Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës me pyetje lidhur me këtë çështje dhe është në pritje të përgjigjes.

Palët u pajtuan për Asociacionin më 2013 dhe ai përmendet edhe në Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, të cilën Kosova dhe Serbia e kanë pranuar në vitin 2023. Sipas një draft-statuti që hartoi Bashkimi Evropian, Asociacioni do të duhej ta rregullonte edhe çështjen e të hyrave, përkatësisht financimin nga buxheti i Serbisë.

Ndërkaq, njoftimi për nisjen e integrimit të institucioneve arsimore dhe shëndetësore përkon me fillimin e zbatimit të fazës së parë për zbatimin e plotë të Ligjit për të huajt, që do të zgjasë deri më 15 mars dhe parasheh një periudhë informimi.

Zbatimi i plotë i këtij ligji mund të ndikojë në funksionimin e institucioneve shëndetësore dhe arsimore serbe, pasi personat që nuk posedojnë dokumente të Kosovës duhet të kenë leje pune ose licencë për ushtrimin e veprimtarisë, për të cilën kërkesa paraqitet në Agjencinë e Punësimit të Kosovës.

Në praktikë, marrja e lejes së punës apo e licencës për arsimim mund të jetë problematike, pasi Kosova nuk i njeh institucionet e Serbisë, të cilat i konsideron paralele dhe të paligjshme. /REL

spot_img
ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat