Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, i ka reaguar ashpër ministrit të Financave, Hekuran Murati, gjatë seancës në Kuvend, duke e kritikuar për menaxhimin e financave publike dhe deklaratat e tij rreth deficitit buxhetor.
Hamza theksoi se nëse ekziston një disproporcion mes të hyrave të planifikuara dhe atyre të realizuara në një kohë kur çmimet kanë shënuar rritje galopante, kjo është dëshmi e pastër e një planifikimi të dobët të buxhetit nga ana e Qeverisë.
„Ti the se kemi deficit. Nëse aktualisht ka mungesë apo disproporcion mes të hyrave të planifikuara dhe të realizuara, dhe kjo ndodh me këto çmime të rritura, atëherë i bie që e ke pasur planifikimin e buxhetit shumë keq. Nuk është problemi te hyrja e të hyrave“, deklaroi Hamza, sipas raportimit të Klankosova.tv.
Propozimi i Hamzës: Teprica e të hyrave t’u kthehet qytetarëve Ish-ministri i Financave i propozoi ekzekutivit një zgjidhje konkrete: që mjetet shtesë të mbledhura në buxhet si pasojë e shtrenjtimit të produkteve, të mos qëndrojnë në arkën e shtetit, por të përdoren për mbështetjen e familjeve kosovare.
„Po propozoj që të hyrat e realizuara si rezultat i rritjes së çmimit, të cilat nuk i ke paraparë në momentin e planifikimit të buxhetit, t’i përdorësh tani për përkrahjen e qytetarëve të Kosovës“, potencoi kreu i PDK-së.
Ky ballafaqim vjen në një kohë kur opozita po kërkon me ngulm masa lehtësuese fiskale për të amortizuar rritjen e kostos së jetesës, ndërsa pozita vazhdon t’i mbrojë politikat aktuale buxhetore.



